A është i mundur zgjerimi i BE-së deri në vitin 2030?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

“Kurrë mos thuaj kurrë”, por gjasat janë të vogla 

Fjalimi i presidentit të BE-së Sharl Mishel në Forumin Strategjik në Bled përsëri e tronditi publikun tashmë të zhgënjyer në Ballkanin Perëndimor, pasi tha se “të dy palët” deri në vitin 2030 duhet të jenë të gatshme për zgjerim. Ç‘është e drejta, nuk e definoi palën e dytë – a e kishte për të gjithë kandidatët, të gjithë kandidatët potencialë, apo Ballkanin Perëndimor ose edhe fqinjësinë lindore. Dhe ç‘është e drejta – nuk tha “të zgjerohet” – por të jenë të gatshëm për zgjerim. Megjithatë, u dëgjua një zë kategorik dhe ndryshe nga të mëparshmit.

Në të njëjtën frymë të diversitetit ishte edhe deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, e cila së shpejti e kontestoi Mishelin, duke thënë se ky institucion i BE-së nuk fokusohet tek datat. Fokusi i tyre qenka që të punojnë me vendet kandidate që të përgatiten për anëtarësim në BE. Në frymën e diverzitetit ishte edhe fjalimi thuajse i njëkohshëm i presidentit Makron i cili e përsëriti tezën – së pari reforma në BE (me idetë për Evropën me më shumë shpejtësi), pastaj zgjerim, që tani është qëndrim dominues në BE. Më shumë analistë menjëherë bënë vlerësimin se cila deklaratë është më relevante, kush do të jetë aktual edhe pas zgjedhjeve evropiane etj, e kështu edhe konstatimet më pesimiste në lidhje me deklaratën e Mishel. Sidoqoftë, dallimet e këtilla në çdo rast janë tregues se në Bashkimin Evropian ende nuk ka një qëndrim të qartë mbi zgjerimin e mëtutjeshëm.

Megjithatë, fakt është se debati për zgjerimin është aktualizuar. Mirëpo, tani për tani nuk ka rezultat të qartë. Aq sa agresioni rus mbi Ukrainën bëri që çështja të aktualizohet, po aq me kandidaturën e shpejtë të Ukrainës dhe Moldavisë u rrit sfida e zgjerimit. Jo vetëm se tani nuk ka besim se sistemi i tanishëm nuk do të mund të funksionojë me anëtarët e rinj, por edhe se do të nevojiten më shumë para.

Përgjigja ndaj pyetjes për atë nëse është i mundur zgjerimi nuk mund të jetë kategorike, sepse, çdo gjë është e mundur dhe “kurrë mos thuaj kurrë”. Para disa vitesh nuk kishte COVID, nuk kishte agresion rus mbi Ukrainën… Globalisht po ndodhin ndryshime të mëdha, të cilat mund të imponojnë ndryshime edhe në politikën e BE-së. Vetëm se diçka është më e mundur, e diçka më pak e mundur.

Për momentin më pak i mundur duket viti 2030 si vit për zgjerim.

Sipas qëndrimeve tani dominante të BE-së, që të jenë të dy palët të gatshme për zgjerim, duhet të jenë: 1.Të përfunduara reformat në BE; 2. Kandidatët të jenë të gatshëm për anëtarësim në BE.

Reformat në BE ende nuk kanë filluar. Pasi përfundoi Konventa për të ardhmen e Evropës, formalisht nuk është hapur procesi për ndryshimin e marrëveshjeve themeluese. Për më pak se një vit janë zgjedhjet në nivel të BE-së. Çështjet që tashmë janë vënë në “qarkullim” janë komplekse dhe politikisht të vështira, si për shembull përfaqësimi më i madh i shumicës së kualifikuar në vendimmarrje (në vend të konsensusit) – edhe atë jo vetëm për politikën e përbashkët të sigurisë dhe atë të jashtme, por edhe për shumë çështje të tjera me rëndësi, siç është për shembull tatimimi. Propozimet më konkrete për “Evropa në më shumë shpejtësi”, gjegjësisht mundësia për integrim më të fuqishëm të disa vendeve anëtarë në disa fusha tashmë janë duke u paralajmëruar. Që të arrihet pajtueshmëri për reforma të tilla do të nevojitet pëlqim nga të gjithë të 27-ët, e kjo do të thotë heqje dorë nga e drejta e VETO-s për disa çështje. Kjo nuk do të jetë aspak e lehtë për tu realizuar dhe ka shumë pak gjasa që të ndodhë në afat të shkurtër.

Nga ana tjetër tempoja e reformave të kandidatëve është e ngadalshme. Pa një target të arritshëm nuk ka fuqi transformuese të Unionit. Madje edhe krijohet (e edhe plotësohet) hapësira për procese retroaktive. Këtë e kanë të qartë krijuesit e politikës së BE-së. Prandaj përpiqen që të gjejnë mënyra që rrugën drejt anëtarësimit ta ndajnë në disa “karrota” sadopak tërheqëse që kandidatët t’i “kafshojnë”. I tillë është propozimi për integrim në faza, i propozuar fillimisht nga think-tank-ët, ndërsa i vënë në qarkullim në BE nëpërmjet non-paper-it të Austrisë.

Që të vendoset një datë – edhe atë në vitin 2030 – si vit target për zgjerimin u angazhua sektori civil në rajon. Mirëpo, nevojitet vendim politik për këtë nga të dy palët, që në këtë moment nuk ka, e pastaj edhe të investohet energji e jashtëzakonshme që kjo të realizohet. Për fat të keq, në kontekstin aktual të Maqedonisë edhe viti i targetuar përdoret për nevoja të politikës ditore, e jo si shtytje për reforma, të cilat, për fat të keq, gjithashtu kanë marrë të tatëpjetën.

Analizat e Portalb-it për raportin e Skriningut i gjeni në këto linqe:

  1. LEXO: Nota shqetësuese nga Brukseli për sistemin ndëshkimor, barazinë gjinore, të drejtat e fëmijëve në Maqedoni
  2. LEXO: Maqedonia ka problem serioz me korrupsionin, personat e “mëdhenj” nuk dënohen
  3. LEXO: Brukseli kërkon punë dhe jo llafe për gjyqësorin dhe korrupsionin në Maqedoni
  4. LEXO: RMV, reforma e Administratës Publike: çfarë fshihet pas notës së dhënë nga Brukseli “mesatarisht e përgatitur”
  5. LEXO: Brukseli e sheh Maqedoninë si shtet pa institucione demokratike plotësisht të konsoliduara
  6. LEXO: KE e publikoi raportin e skriningut të klasterit të parë për Maqedoninë e Veriut: Themelet janë skanuar
  7. LEXO: Komisioni Evropian: Në RMV të përmirësohet transparenca në hartimin e politikave dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e konsultimit
  8. LEXO: Administrata publike në RMV, të vazhdojnë reformat brenda kornizës së një strategjie të vlefshe dhe të mirëkoordinuar, apelon BE
  9. LEXO: Rezultatet e skriningut: Kuvendi i RMV-së të vendosë planifikim më efikas të procesit ligjvënës, të kufizohet përdorimi i procedurave të shpejta
  10. LEXO: Rezultatet e skriningut: Mangësi në procesin zgjedhor të RMV-së dhe financimin e partive, vetërregullimi i mediave të merret seriozisht