Policia e Kosovës ka ndaluar katër shtetas të RMV-së, tre prej tyre të kërkuar për tentim vrasje dhe njëri i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar katër persona në Ferizaj, shtetas të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me “Urdhërarrest ndërkombëtar”, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi Policia e Kosovës, me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut dhe gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi të municionit.

Tre prej personave të ndaluar, dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e të shtënave me armë qendrën “The Village Shopping & Fun” në Ferizaj.

  • A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje
  • S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje
  • F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.
  • Ndërsa,  personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, njoftuan nga Policia e Kosovës.

Të shtënat dhe rrahja në rastin e Ferizajt ka ndodhur në tetor të vitit të kaluar.

“Me datën 17.10.2023 rreth orës 00:30 Policia Rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informatë se në një lokal në qendrën ” The Village Shopping & Fun ” kishte të shtëna me armë të zjarrit. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se pas një zënke një person me armë të zjarrit (pistoletë) kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur. Hetuesit dhe krimteknijët rajonal nën autorizim të prokurorit të shtetit pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet dhe kërkimin e personave të dyshuar”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.