BE-ja e gatshme për anëtarë të rinj në vitin 2030, por jo edhe Maqedonia e Veriut

Prej disa javësh, viti 2030 përflitet si datë e mundshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Entuziazmi për këtë datë u rrit edhe më shumë në vend, pas deklaratës së kreut të Këshillit Evropian Charles Michel se “të dyja palët deri në vitin 2030 duhet të jenë të gatshme për zgjerim. Megjithatë, njohësit e çështjeve eurointegruese në vend, janë të ndarë në dy mendime: Se gjasat janë reale për anëtarësim dhe se qëndrimi i BE-së këtë herë është në favor të zgjerimit dhe se zgjerimi mund të ndodhë, por vështirë, pasi institucionet evropiane nuk janë të gatshme dhe as të unifikuar në qëndrimet e veta, shkruan Portalb.mk.

Njohësi i çështjeve eurointegruese, Selim Ibraimi, thotë se BE-ja kësaj herë është e vendosur që vendet kandidate si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria deri në 2030 të bëhen pjesë e Unionit. Më herët, sipas tij, Brukseli kishte qendrime të forta rreth anëtarësimit, por si duket Ukraina, lufta atje ka ndyshuar qasjen e zyrtarëve të BE-së ndaj Ballkanit, andaj gjasat janë reale që vendi të bëhet pjesë e BE-së.

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

“Vetëm një rrëmujë tjetër para dyerëve të Evropës dhe në Ballkan, mund të bëjë që ky disponim aktual të ndryshojë. Ajo që mbetet shqetësuese është se vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, realisht nuk i plotësojnë kushtet, pasi në mungesë të shtetit ligjor e këtu në Maqedoni të Veriut në emër të eurointegrimeve po bëhen lëshime ndaj zyrtarëve të dyshuar për shkelje liigjore. Ajo që mbetet të bëjë Maqedonia e Veriut është vendomsëria për një shtet të vërtetë ligjorë, ndryshe anëtarësimi në BE do të linte pas një shoqëri dhe shtet fragjil me probleme brenda BE-së. Mirë që qeveria dhe të tjerat pas të punojnë që vendi të funksionojë si shtet i ardhshëm i BE-së”, thotë Ibraimi.

Megjithatë, deklaron Selimi, veprimet e fundit në ndryshimet e Kodit Penal tregojnë se Shkupi zyrtarë më tepër është i përqendruar në deklarat formale se në vepra konkretë që kanë potencial të lënë pas pasoja.

“Në plan të gjërë, dështimi në tërësi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të interpretohet si një hapësirë gjeopolitike për aktorë të huaj që do të zënë vendin e fuqive aktuale perëndimore që pretendojnë se deri në 2030 ose pas do të mund t’i anëtarësojnë këta shtete në union. Sëkëndejmi është e mundur që në një zhvendosje globale të fuqisë ekonomike edhe qëllimet e po këtyre shteteve të forcohen ose zbehen. Në fund i gjithë procesi do të varret nga BE-ja dhe shtetet kandidate”, thekson Ibraimi.

Ndërkohë, Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane,në analizën e përjavshme për Portalb.mk, shkruan se ndonëse fjalimi i presidentit të BE-së Sharl Mishel në Forumin Strategjik në Bled e tronditi publikun tashmë të zhgënjyer në Ballkanin Perëndimor, pasi tha se “të dy palët” deri në vitin 2030 duhet të jenë të gatshme për zgjerim, nuk e definoi palën e dytë – a e kishte për të gjithë kandidatët, të gjithë kandidatët potencialë, apo Ballkanin Perëndimor ose edhe fqinjësinë lindore. Ristevska shton se kurrë s’duhe thënë kurrë, por se gjasat janë të vogla.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

“Ç‘është e drejta – nuk tha “të zgjerohet” – por të jenë të gatshëm për zgjerim. Megjithatë, u dëgjua një zë kategorik dhe ndryshe nga të mëparshmit. Në të njëjtën frymë të diversitetit ishte edhe deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, e cila së shpejti e kontestoi Mishelin, duke thënë se ky institucion i BE-së nuk fokusohet tek datat. Fokusi i tyre qenka që të punojnë me vendet kandidate që të përgatiten për anëtarësim në BE. Në frymën e diverzitetit ishte edhe fjalimi thuajse i njëkohshëm i presidentit Makron i cili e përsëriti tezën –së pari reforma në BE (me idetë për Evropën me më shumë shpejtësi),pastaj zgjerim, që tani është qëndrim dominues në BE”, shkruan Ristevska.

Më shumë analistë menjëherë, shton ajo, bënë vlerësimin se cila deklaratë është më relevante, kush do të jetë aktual edhe pas zgjedhjeve evropiane etj, e kështu edhe konstatimet më pesimiste në lidhje me deklaratën e Mishel. Sidoqoftë, nënvizon Ristevska, dallimet e këtilla në çdo rast janë tregues se në Bashkimin Evropian ende nuk ka një qëndrim të qartë mbi zgjerimin e mëtutjeshëm.

“Megjithatë, fakt është se debati për zgjerimin është aktualizuar. Mirëpo, tani për tani nuk ka rezultat të qartë. Aq sa agresioni rus mbi Ukrainën bëri që çështja të aktualizohet,po aq me kandidaturën e shpejtë të Ukrainës dhe Moldavisë u rrit sfida e zgjerimit. Jo vetëm se tani nuk ka besim se sistemi i tanishëm nuk do të mund të funksionojë me anëtarët e rinj, por edhe sedo të nevojiten më shumë para”, thotë Ristevska.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.

Më 28 gusht, kryetari i Këshillit Evropian në fjalimin e tij në Samitin Strategjik të Bledit, ku mori pjesë edhe delegacioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovacevski, tha se deri në vitin 2030, të dyja palët – BE-ja dhe vendet kandidate – duhet të përgatiten për një zgjerim të ri të Bashkimit Evropian.

Një ditë pas fjalimit të tij, zëdhënësja e Komisionit Evropian Dana Spinant nuk pranoi të komentojë deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, duke përsëritur se zgjerimi i BE-së është një proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të hyjnë në BE kur të jenë gati për të.

“Unë mund të theksoj qëndrimin tonë dhe vizionin tonë për zgjerim dhe mënyrën më të mirë për të menaxhuar procesin. Për ne, thelbi është se zgjerimi është i bazuar në merita dhe duhet të mbetet i bazuar në merita”, theksoi zëdhënësja e KE-së.

Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron, e dhënë në të njëjtën ditë me atë të Charles Michel, por në një ngjarje tjetër, shkaktoi spekulime shtesë për unitetin në Union rreth çështjes së zgjerimit. Macron tha në një takim vjetor me ambasadorët francezë se BE-ja duhet të konsiderojë një “Evropë me shumë shpejtësi” për t’u marrë me zgjerimin.

Deklaratat e dy politikanëve të lartë evropianë u konsideruan kontradiktore nga një pjesë e spektrit politik në vend, përfshirë edhe opozitën VMRO-DPMNE, nga ku dolën me mendimin se kjo është një konfirmim se nuk ka garanci për rrugën e vendit drejt BE-së.

Me shpjegime se nuk bëhet fjalë për deklarata kontradiktore doli ministrja franceze për Evropën, Laurence Boon, e cila në një nga seancat e panelit në samitin në Bled tha se zgjerimi i BE-së është i mundur edhe para vitit 2030, por ajo që nevojitet janë reformat në vetvete të BE-së dhe vendeve kandidate.

Nëse s’ka ndryshime kushtetuese deri në nëntor, eurointegrimi do të bllokohet

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.