Mickoski: Nesër do të shihet se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese

Lideri i VMRO – DMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se, nuk pret që të ndodhë diçka spektakulare nesër në Kuvend dhe sipas tij, BDI dhe LSDM që në miratimin e rendit të ditës do të shohin se, nuk e kanë shumicën e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Ai në intervistë për TV Sitel, tha se i vjen keq që Qeveria ka qenë e mbylur në njëmendësi dhe nuk ka komunikuar me opozitës.

“Nuk mund ta përmbushin atë që e kanë premtuar, ndërsa atë që e pranuan nuk do ta pranonte askush normal, por ata e pranuan që të mbetem në pushtet. Pas përfundimit do të vazhdojnë me inat kokë në vete në vend që të dalim në zgjedhje”, tha Mickoski.

Sipas tij, gabimi është bërë që kur një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ka bërë marrëveshje me Qeveri humbëse.

“Ndërmorrën detyrime në emër të Kuvendit, pa llogaritur se nuk kanë shumicë e cila është e gatshme t’i përmbush ato, ndërsa nuk kanë shumicë të tillë sepse në ato momente nuk kanë biseduar me partinë më të madhe politike VMRO – DPMNE”, tha Mickoski.

I pyetur se, çfarë do të bënte VMRO – DPMNE për zgjidhjen e situatës nga pozicioni i pushtetit, Mickoski tha se do të kërkojë garanca nga Bashkimi Evropian me të cilat do të konfirmohet qartë identiteti, kulturat, zakonet dhe gjuha shumëshekullore maqedonase, edhe pse siç tha tash na pret ndërhyrje historiike, pasi Bujar Osmani ka nënshkruar marrëveshje bilaterae të jetë pjesë e kornizës negociuese.

Kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski i pyetur se cili është plani i Qeverisë nëse nuk sigurohet shumica e kërkuar për ndryshimet kushtetuese, marrë parasysh qëndrimin e fundit të djeshëm nga deputetët e opozitares VMRO-DPMNE se nuk do të mbështesin këtë proces, nuk u përgjigj për këtë, por kritikoi deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Kovaçevski në vend të përgjigjes i ka kritikuar deputetët e VMRO-DPMNE-së se nuk kanë shpjegim pse nuk do të përkrahin amendamentet kushtetuese.

“Cili është shpjegimi i VMRO-DPMNE-së pse është kundër, nuk thuhet në njoftim. Amendamentet kushtetuese nuk janë një diktat bullgar, është një kornizë negociuese e miratuar nga BE-ja”, tha Kovaçevski.

Kryeministri sot ka deklaruar gjithashtu se në Kuvendin e RMV-së ka një dePutet i cili ishte pjesë e shërbimit sekret jugosllav dhe policisë UDBA-s, që nuk duan ta shohin RMV-në si pjesë të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, sot blloku opozitar shqiptar në Kuvend – Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, përmes një konference për shtyp kushtëzuan se nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për shqiptarët në kushtetutë, nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Ndërsa ministri i Jashtëm – Bujar Osmani sot u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit ku u thotë se e ardhmja evropiane e vendit është para duarve të tyre.

Nesër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin e Qeverisë për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, ndërsa Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvend më 25 korrik e miratoi propozimin. Me këtë, praktikisht filloi procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, dhe këto konkluzione ia kaloi Kuvendit.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kuvendi fillimisht duhet të votojë rendin e ditës me një pikë të vetme – Propozim për Fillimin e Ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin nevojiten 61 vota.

Kjo seancë mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune.

Më pas, vendimin ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse nuk ka shumicën e kërkuar, procedura nuk mund të vazhdojë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.