Shkup, u ndanë çmimet e BE-së për Gazetari Hulumtuese 2023

Çmimi i parë i BE-së për Gazetari Hulumtuese 2023 i takoi ekipit të Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues për dokumentarin “Gjaku i papastër” i autorëve Sashka Cvetkovska, Elena Mitrevska Cucovska, Maja Jovanovska dhe Trifun Sitnikovski, transmeton Portalb.mk.

Në arsyetim thuhej: “Juria vendosi njëzëri të shpërblejë historinë e abuzimit të trajtimit të pacientëve me COVID-19 dhe përfitimit në kuadrin e një pandemie, duke e konsideruar atë me rëndësi të madhe, zell, qasje të thelluar dhe inovative”.

Storja e IRL me shumë elementë të dokumentarit është rezultat i një investigimi të gjatë dhe të gjerë nga një ekip i tërë dhe i hap rrugën kësaj qasjeje në gazetari.

Ekipi i IRL-së nuk e fshehu kënaqësinë nga kjo mënyrë e respektimit për punën e palodhur dyvjeçare dhe nga çmimi prej 5 mijë eurosh.

“Edhe kur e filluam, ishim të vetëdijshëm që kishim një storje të jashtëzakonshme dhe jam e lumtur që e përkthyem të gjithë në një produkt kaq cilësor gazetaresk dhe gjithashtu sepse storja ka reflektime të tilla në shoqëri. Natyrisht, na jep kënaqësinë më të madhe që mundëm të ngrisim prokurorinë, e cila hapi hetim që është në vazhdim. Nëse më duhet të veçoj momentet e vështira, përveç presioneve nga disa parti dhe pushtetarë që tentojnë të na diskreditojnë, do të përmend edhe pjesën e kontaktit të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm me familjet e viktimave që kaluan edhe një herë momentet më të vështira me ne”, tha Elena Mitrevska Cuckovska pas marrjes së çmimit nga ambasadori evropian në Maqedoni David Geer.

Çmimi i dytë i takoi Frosina Dimeskas për storjen me titull “Politikani i arratisur ukrainas, nën sanksione amerikane, mori nënshtetësinë e Maqedonisë”, të publikuar në portalin Prizma.

Dimeska thotë se katër institucione kanë fshehur njëra-tjetrën gjatë hulumtimit dhe se të gjitha kanë bartur përgjegjësinë për dokumentacionin e lëshuar me bindjen se këtu nuk ka storje.

“Në fund të fundit, Onishçenkos iu hoq shtetësia dhe përgjegjësia për gabimet nuk është përcaktuar ende. Çmimi është shumë domethënës për mua, sepse tregon se sa e rëndësishme është që redaksitë të ndajnë kohë dhe burime dhe t’i lejojnë gazetarët të punojnë në një artikull për një periudhë më të gjatë kohore. Mendoj se përpjekja ia vlejti sepse zbuloi një defekt të madh sistemor”, thotë Frosina.

Çmimi për vendin e tretë iu dha storjes së emisionit KOD, i transmetuar në televizionin Telma – “Shteti nuk ka mbledhur para nga aktgjykimi – Konfiskimi i pasuksesshëm i “Transmetit” nga autorët Miomir Serafinoviq dhe Snezhana Lupevska Sozen.

Lupevska Sozen nuk e fsheh se ky stimulim i gazetarisë hulumtuese nga Bashkimi Evropian do të përmirësojë mjedisin për këtë zhanër, por se gjithçka duhet të shpërblehet.

“Unë dhe kolegu im Miomir Serafinoviq kemi punuar vetëm vitin e kaluar në një seri prej 7-8 emisionesh në Transmet dhe 40 emisione me tema të tjera gjithsej gjatë gjithë vitit. Është rraskapitëse dhe për këtë arsye këto redaksi duhet të shtohen dhe Telma tashmë e ka bërë këtë dhe për këtë arsye po paralajmëroj më shumë storje të mira si kjo”, tha Snezhana Lupevska Sozen pas ceremonisë.

Nga konkursi, në të cilin ishin paraqitur 20 storje dhe përmbante disa filtra në pesë muajt e fundit, sipas jurisë së përbërë nga Konstantin Testorides, Boris Georgievski dhe Filip Rudiq, dolën tre storjet investigative më të mira dhe më cilësore të vitit të kaluarë,

Çmimi i BE-së për gazetarinë hulumtuese ndahet në kuadër të projektit “Forcimi i cilësisë së gazetarisë së lajmeve dhe investigative në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi – 2”. Çmimet koordinohen nga Thomson Media, ndërsa organizator për Maqedoninë është Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Medial.