Po rritet euroskepticizmi në RMV, rrezik për devijimin e rrugës drejt BE-së pas zgjedhjeve

Me titullin “Nacionalistja udhëheq fushqimëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut” për zgjedhjet presidenciale raportoi platforma e informimit evropian “Euractiv”. Retorika nacionaliste dhe prirja e elektoratit në RMV për të mbështetur partitë e spektrit të djathtë vlerësohet si dëmshme për demokracinë e brishtë nga analistët vendas dhe të huaj. Mbështetja masive e figurave nacionaliste gjithashtu është e dëmshme edhe në rrugën e vendit drejt integrimit por edhe në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Rritjen e euroskepticizmit në vend e konfirmoi edhe sondazhi i fundit nga IRI, ku Maqedonia radhitet e parafundit me frymë pro-evropiane në listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Portalb.mk.

Bashkë me zgjedhjet parlamentare më 8 maj qytetarët e Maqedonisë së Veriut do vendosin dhe për presidentin e vendit. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ku garonin gjithsej 7 kandidatë, me një epërsi të madhe e para doli Gordana Siljanovska e përkrahur nga partia më e madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE. Siljanoska si dhe partia që e mbështet atë njihen publikisht për qëndrimet nacionaliste dhe komentet koservative kur bëhet fjalë për rrugën drejt integrimit në BE të vendit tonë. Mes shumë kotradiktave në raport me udhëheqjen e politikave të jashtme dhe të brendshme të vendit nëse Siljanoska merr mandatin e presidentit ajo që gjithashtu bie në sy është fakti se shqiptarët si komuniteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut nuk përmenden fare në programin presidencial të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova “Maqedonia përsëri krenare”. Fjala e vetme që përdoret është “minoritetet” edhe atë 2 herë për të drejtat e njeriut, dhe 1 herë si urë për bashkëpunim kulturor, ndërkaq sa u përket dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në RMV përmenden vetëm romët.

Rezultati i thellë në raundin e parë në favor të kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së dhe pritshmëritë për një fitore po ashtu të thellë të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, shton dilemat në opinionin publik lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

 

Rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale 2024 në RMV.
Rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale 2024 në RMV.

 

Sa i rrezikshëm është euroskeptizimi në Maqedoninë e Veriut?

Jan Mus studiues polak i rajonit të Ballkanit, analist dhe njohës i proceseve zgjeruese të Bashkimit Evropian thotë për Portalb.mk se euroskepticizmi është faktor në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo u dëshmua dhe nga tendencat e fundit politike dhe rezultatet elektorale, duke përfshirë performancën e kandidatëve dhe partive nacionaliste.

Jan Mus - profesor universitar në Poloni, studiues i politikave në Ballkanin Perëndimor dhe njohës i çështjeve zgjeruese të BE-së
Jan Mus – profesor universitar në Poloni, studiues i politikave në Ballkanin Perëndimor dhe njohës i çështjeve zgjeruese të BE-së

“Disa faktorë kontribuojnë në rritjen e euroskepticizmit në një vend si Maqedonia e Veriut: Së pari, dështimi i BE-së për të hapur negociatat pas marrëveshjes së Zaevit me shqiptarët, bullgarët dhe grekët ka çuar në zhgënjim në mesin e popullatës. Së dyti, mosmarrëveshja e emrit me Greqinë ka qenë e ngatërruar thellë me identitetin kombëtar, duke ndikuar në opinionin publik ndaj BE-së. Tani kjo pyetje është ringjallur nga kërkesat bullgare për trashëgiminë historike të të dy kombeve. Këto zhvillime motivojnë një ndryshim në ndjenjën publike që mund të reflektojë një skepticizëm më të gjerë ndaj integrimit evropian ose pakënaqësi me ritmin dhe kushtet e procesit të anëtarësimit në BE. Megjithatë, askush nuk beson se ka alternativë ndaj integrimit në BE. Për mendimin tim, rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale janë rezultat i zhgënjimit me elitat aktuale në pushtet dhe dhënies së kartonit të kuq. Ndonëse rritja e votave për kandidatët nacionalistë si Gordana Siljanovska në zgjedhjet presidenciale dhe suksesi i mundshëm i VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare tregojnë një anim të dukshëm, është thelbësore të merret parasysh se euroskepticizmi në Maqedoninë e Veriut mund të mos e refuzojë plotësisht anëtarësimin në BE, por të shprehë frustrim me disa aspekte të procesit të anëtarësimit ose kushtet e vendosura. Kështu, ndërkohë që ka prova të rritjes së euroskepticizmit, ndjenja e përgjithshme ndaj BE-së në Maqedoninë e Veriut ka të ngjarë të jetë e nuancuar, duke reflektuar një ndërveprim kompleks të politikës së brendshme, kushteve ekonomike, identitetit kombëtar dhe përfitimeve dhe disavantazheve të perceptuara të anëtarësimit në BE”, deklaroi Jan Mus.

Profesori universitar Jan Mun shton se RMV, në rrugën drejt integrimit në BE, mundet të mësojë diçka nga vendi i tij Polonia e cila vetëm pak ditë më parë shënoi 20 vjetorin e anëtarsimit në BE.

“Në këtë nivel, Maqedonia e Veriut mund të mësojë nga Polonia vetëm disa çështje teknike që lidhen me integrimin në BE – përdorimin e fondeve të BE-së për përfitimin e saj. Prandaj duhet të identifikohen grupet e interesit, administrata të orientohet drejt shfrytëzimit të këtyre fondeve, dhe çka është më e rëndësishmja, qeveria duhet të sigurojë që sa më shumë nga këto mjete të qëndrojnë në tregun maqedonas dhe të rishpërndahen mundësisht të barabartë në popullatë, përmes kompanitë dhe organizatat vendase. Kjo është diçka që shpesh anashkalohet në diskursin publik. Natyra kapitaliste e ekonomisë priret drejt grumbullimit të kapitalit, ndërkohë që qeveria duhet t’i rishpërndajë këto kapitale dhe ta shpërndajë atë brenda popullsisë për të rritur fuqinë blerëse të saj dhe për t’u mundësuar kompanive vendase të bëhen konkurruese me sferën e ndikimit ekonomik të BE-së. Vetëm atëherë financimi i BE-së ka kuptim”, theksoi Jan Mus.

Senada Laçka profesoreshë universitare e së Drejtës Ndërkombëtare/ Burimi i fotografisë: LinkedIn
Senada Laçka profesoreshë universitare e së Drejtës Ndërkombëtare/ Burimi i fotografisë: LinkedIn

Senada Laçka, profesoreshë universitare e së Drejtës Ndërkombëtare vlerëson se euroskepticizmi në popullatën maqedonase në RMV është rritur sidomos pas Marrëveshjes së Prespës.

“Për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të përkatësisë etnike maqedonase dhe disa analistëve skeptikë, procesi i integrimit të RMV-së është kuptuar si një saktificë e vendit me kosto tejet të larta. Këto qëndrime janë vërejtur që në nënshkrimin e Marrëveshjes të Prespës si një marrëveshje e kundërshtuar ashpër nga partia opozitare VMRO-DPMNE të cilët e konsiderojnë një shembull brutal të realpolitikës, mosrespektimit të Ligjit ndërkombëtar dhe vullnetit të popullit! Besoj, që fryma e euroskepticizmit të sotëm e ka burimin e vet dhe para Marrëveshjes të Prespës, por Marrëveshja e Prespës ka rikthyer polarizimin ngacmues që përdor sot partia opozitare për ringjalljen e nacionalizmit dhe tensioneve ndëretnike”, deklaroi Senada Laçka.

Sidoqoftë, profesoresha Senada Laçka shton se rruga drejt integrimit në BE nuk duhet të devijohet aspak e as të vazhdohet me retorika të vjetra nacionaliste të cilat vetëm sa dëmtojnë demokracinë e brishtë të vendit.

“Përgjegjësinë e Qeverisë të re pas zgjedhjeve te 8 Majit,  lidhur me eurointegtimet dhe politikën e jashtme tê RMV-së, bashkë me ndryshimet kushtetuese, nuk besoj që është e gatshme ta mbajë mbi supe një parti që ka qëndrime të kundërta me prosperitetin dhe integrimin e mëtutjeshëm të vendit. Retorikat nacionaliste të shekullit të kaluar nuk korespondojnë me realitetin aktual. Deklarata të tilla që nxisin ndjenjat e trazuara të qytetarëve bashkë me zhgënjimin e moshapjes të negociatave me BE-në i konsideroj arsye kryesore e mbështetjes të madhe kundrejt kandidates për presidente nga Partia VMRO_DPMNE, znj.Gordana Siljanovska Davkova”, theksoi Laçka.

Gent Salihi- aktivist dhe diplomat i ri / Burimi i fotografisë: LinkedIn
Gent Salihi- aktivist dhe diplomat i ri / Burimi i fotografisë: LinkedIn

Për aktivistin dhe diplomatin e ri, Gent Salihi, euroskepticizmi paraqitet si një sfidë mjaft e rëndësishme e Maqedonisë së Veriut, fenomen skematik dhe mjet politik për zhvendosjen e vëmendjes nga proceset eurointegruese

“Si aktivist dhe diplomat i ri, unë e shoh rrugën drejt BE-së si të domosdoshme për përparimin e Maqedonisë së Veriut, duke ofruar jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe një kornizë për konsolidimin demokratik, ekonomik dhe stabilitetin rajonal. Megjithatë, rritja e ndjenjave euroskeptike kërkon shqyrtim, veçanërisht në lidhje me liderët si Siljanovska – Davkova, pikëpamjet e së cilës për integrimin në BE kanë shkaktuar mjaft polemika, duke pasur parasysh disa deklarata konstraverse të saja gjatë kampanjës, është thelbësore të monitorohet se si evoluon qëndrimi i saj përballë realiteteve praktike dhe interesave kombëtare, gjithashtu duhet theksuar se retorika e këtyre liderëve edhe mund të pësojë transformim me marrjen e detyrës. Është e domosdoshme të angazhohemi në mënyrë konstruktive në dialog, duke adresuar shqetësimet dhe duke theksuar përfitimet e prekshme të integrimit në Bashkimin Europian”, thotë Gent Salihi.

Lëkundjen e orientimit euro-atlantik të vendit e nxori në pah edhe sondazhi i fundit i zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar ( IRI) në Maqedoninë e Veriut. Krahasur me vitin 2022, ka rritje prej 2% në interesin për të votuar PRO në pyetjen: “Nëse sot do të mbahej referendum për tu anëtarsuar në Bashkimin Evropian si do të votonit? , 68%  e të anketuarve u përgjigjen se do të votonin PËR ndërsa 13% thanë se do votonin KUNDËR.

Megjithatë, pas Serbisë, RMV është vendi i dytë më pak pro-europian në Ballkanin Perëndimor. Sondazhi i realizuar gjatë muajit shkurt-mars të vitit 2024 ilustron me numra konkret frymën por-evropiane në  vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm 34% e të anketuarve në RMV mendojnë se BE është serioze në qëllimin që tju ofrojë anëtarsim vendeve të rajonit ndërsa 47% mendojnë se ky qellim nuk është serioz.

Në rajon vendet më pro-perëndimore janë Shqipëria dhe Kosova. Përderisa për Shqipërinë dhe Kosovën, aleati në i rëndësishëm janë Shtetet e Bashkuara, për Maqedoninë e Veriut, aleati më i rëndësishëm është Serbia. Në listën e shteteve që qytetarët e RMV-së shikojnë si aletatë figuron dhe Rusia.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.