Mbaroi debati në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, votimi atëherë kur (nuk) do të sigurohen votat 

Debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e sotme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër.

Në fjalimin e tij, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski tha se sot është një ditë e rëndësishme, qeveria e të cilit, siç tha ai ka marrë një përgjegjësi të madhe për shtyrjen përpara të procesit eurointegrues.

“Propozimi për ndryshime kushtetuese ka për qëllim hyrjen në BE, as më pak e as më shumë. Propozimi është bazuar në propozimin e BE-së. Propozimi debatohet në Kuvendin e RMV-së, prandaj me përgjegjësi i hedh poshtë akuzat se këto ndryshime bëhen nën diktatin e dikujt. Ky është propozim maqedonas, i mbështetur nga ndërkombëtarët, në dobi tonën. Nëse e shohim të vërtetën në sy, mund të shohim se në Bruksel shkruhet dhe flitet në gjuhën maqedonase”, tha Kovaçevski.

Në debat fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më poshtë po i përcjellim disa nga ata.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së – Nikolla Micevski kërkoi që ndryshimet kushtetuese të votohen në seancën e sotme.

“Nëse ka numër të mjaftueshëm të deputetëve, ndërsa e shoh se ka, propozimin ta vendosim në votim, që të shohim kush për çfarë jemi. Për këtë shkak jemi këtu që të mos na akuzonin se po bllokojmë, jemi në sallë. Do të na lejoni që të deklarohemi, sipas bindjeve tona, në frymën e demokracisë dhe do të na lejoni të votojmë dhe të shohim rezultatet e votimit”, tha Micevski.

Koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së – Stojan Mitreski tha se është e lehtë të flitet për gjoja bullgarizim dhe asimilim me gënjeshtra, e të mos votohet për konkluzione lidhur me kornizën negociuese për mbrojtjen e plotë të gjuhës maqedonase, identitetit dhe kulturës maqedonase.

“Zgjedhja është izolimi apo integrimi në BE. Nuk ka asgjë tjetër. Izolimi pamë çfarë solli 11 vite. Nuk duhet të lejojmë që të rinjtë të jenë viktima të politikanëve pa qëndrim, pa vizion, të cilët nuk mendojnë asgjë tjetër veç karriges dhe dëshirës për pushtet. Nuk duhet të lejojmë izolim të ri. Unë jam për integrim. Grupi parlamentar, koordinator i të cilit jam unë, është për integrim”, tha Mitreski.

Deputeti nga BDI-ja – Arbër Ademi tha se sot është dita kur parlamenti ndahet në dy pjesë, ata që janë pro BE-së dhe ata që nuk janë.

“Propozimi për ndryshimet kushtetuese që është para nesh është rezultat i kompromisit të arritur ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së, është produktet i një strategjie dhe taktike të formësuar me kujdes, në fakt është bileta jonë njëkaheshe drejt vazhdimit të negociatave dhe me këtë drejt realizimit të aspiratave për anëtarësim të plot në bashkimin e kombeve evropiane demokratike dhe prosperuese”, tha Ademi.

Deputeti i pavarur – Skender Rexhepi Zejdi kërkoi që të fshihet formulimi në kushtetutë për gjuhën shqipe si gjuhë që flitet nga 20% e popullatës.

“Mënyra më e mirë për të gjithë qytetarët është që ne duhet të hapim horizonte të reja drejt BE-së dhe të mbyllim çështjet etnike. Si mund të ndodhë. Me propozim amendamenti do të sugjeroja që të jenë edhe goranët, torbeshët dhe këto ndryshime të jenë iniciativë për të fshirë ’20 për qind’ sepse është e turpshme dhe kanë 20 vjet që jetojnë me turpin e saj”, tha Rexhepi.

Njëjtë edhe deputeti nga Aleanca për Shqiptarët – Halil Snopçe foli për definimin e gjuhës shqipe dhe 20%, për bëri thirrje edhe të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Çdo tentativë për zhvendosje dhe për mos emërtimin e gjuhës shqipe ashtu sic është, është një tentativë për ta mbajtur atë inekzistente dhe kjo nuk është korrekte dhe është një turp”, tha Snopçe.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.