Eurokomisionerja e re bullgare, Shkupi do të fillojë negociatat me BE-në kur të ndryshojë Kushtetutën

Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) kur të përmbushë kriteret dhe të ndryshojë Kushtetutën e saj, thotë komisionerja e re bullgare evropiane Iliana Ivanova në një intervistë për BNT në ditën e parë të marrjes së detyrës në Komisionin Evropian (KE), transmeton Portalb.mk

Duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe pranimin e vendit në BE, Ivanova është kategorike se nuk ka përjashtime.

“Zgjerimi është prioriteti tjetër i rëndësishëm që u përmend javën e kaluar. Kriteret janë shumë të rëndësishme dhe zbatohen për të gjithë me forcë të barabartë. Të gjitha vendet që janë në rrugën hyrëse marrin përsipër detyrime specifike. Në rastin e Maqedonisë së Veriut kemi detyrime për ndryshime në kushtetutë, kemi dy protokolle të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë që duhet të përmbushen. Rregullat janë të qarta. Nuk ka dhe nuk mund të ketë përjashtime nga Komisioni. Komisioni nuk ka mundësi të kryejë punën e vendeve kandidate”, thotë Ivanova në intervistën për televizionin kombëtar bullgar.

Iliana Ivanova është Komisionerja e re Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë. Emërimi i saj në këtë post u miratua nga Parlamenti Evropian më 12 shtator me 522 vota pro, 27 kundër dhe 51 abstenime.

Ajo u propozua si anëtare e Komisionit Evropian me sugjerimin e Bullgarisë për të zëvendësuar Maria Gabriel, e cila dha dorëheqjen në maj për të marrë postin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme në qeverinë e re të Bullgarisë.

Vitin e kaluar në korrik, Maqedonia filloi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me të cilat filloi procesi i skriningut për harmonizimin e legjislacionit vendas me atë të Unionit. Megjithatë, kusht për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare dhe hapjen e klasterëve dhe kapitujve qasës janë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët dhe pjesë të kombeve të tjera duhet të futen në Preambulën e Kushtetutës.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.