Opozita sot konfirmoi se koncepti i BE-së në RMV ka dështuar, tha Pendarovski

Në lidhje me seancën e sotme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese, ka reaguar edhe presidenti i vendit – Stevo Pendarovski. Ai në një paraqitje në Televizionin Sitel tha se  me votimin e sotëm, opozita ka konfirmuar se koncepti i Bashkimit Evropian në Maqedoni ka dështuar dhe kjo është e turpshme dhe katastrofike sepse vendi ka kohë që ka përcaktuar se në cilin drejtim dëshiron të lëvizë dhe e vetmja rrugë është pikërisht përmes miratimit të amendamenteve kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

“Cila është alternativa tjetër ndaj BE-së? A do të bëjë Mickoski një shumicë prej dy të tretash me të njëjtat struktura politike dhe do t’i kthehemi debatit të vjetër të vitit 1991 nëse do të shkojmë në perëndim apo në lindje?”, deklaroi presidenti.

Ai nënvizoi se ajo që ka vendi në tavolinë është më e mira për vendin dhe nuk mund ta besojë sesi opozita VMRO-DPMNE “tallet” me propozimin francez i cili erdhi nga një prej vendeve më të fuqishme të BE-së dhe bën thirrje se është një diktat bullgar.

Ndër tjera ai theksoi se nuk dëshiron të besojë se Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut nga pakoja e vendeve që kanë hyrë në procesin e integrimit, edhe pse formalisht dhe ligjërisht diçka e tillë ekziston.

Paraprakisht, i ashtuquajturi front opozitar shqiptar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike përmes një kumtese të përbashkët reaguan pas seancës së sotme në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. Ata thonë se kryetari i Kuvendit, pa asnjë arsye formale, nuk e hodhi në votimin propozim-nevojën për hapjen e kushtetutës. Sipas tyre, kjo la të nënkuptohet se shumica parlamentare dhe kjo qeveri e di epilogun e atij votimi dhe prandaj nuk ka dashur të ballafaqohen me mungesën e shumicës së nevojshme për ndryshime kushtetuese.

Sot më herët gjatë ditës “përplasje” pati edhe ndërmjet kryeministrit- Dimitar Kovaçevski i cili vjen nga radhët e LSDM-së me VMRODPMNE-në.

Pas diskutimit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, kryeministri i vendit i mblodhi të gjithë ministrat rreth tij dhe përmes një deklarate për shtyp theksoi se do të bëjnë çmos që ndryshimet kushtetuese të kalojnë, në të kundërtën VMRO-DPMNE-ja mbetet fajtore për izolimin e vendit dhe qytetarët nuk do ua falin.

Reaguan nga VMRO-DPMNE, thanë se Kovaçevski gënjeu kur tha se kishte shumicë për ndryshimet kushtetuese.

Përndryshe, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e sotme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.