U arrestua greku që çoi huliganët kroatë në vendin ku ishin ulur tifozët e AEK-ut

Mediat greke raportojnë se sot është arrestuar një grek, i cili dyshohet se ka çuar tifozët e Dinamo Zagrebit në vendin ku ndodhën incidentet me tifozët e AEK-ut, ku humbi jetën një tifoz 29-vjeçar i skuadrës greke. Ndërkohë policia është në kërkim të 10 tifozëve të tjerë kroatë, ndërsa për autoritetet ende nuk dihet identiteti i vrasësit të të riut grek. Për shkak të kësaj, hetimi është zgjeruar dhe një urdhër i ri është lëshuar për një grek dhe pesë të tjerë kroatë, transmeton 360 Gradë.

Deri tani policia greke ka arritur të arrestojë dhe ndalojë 105 huliganë, ndërsa hetimet tashmë janë reduktuar në analizën e ADN-së me mostrat e të arrestuarve, por edhe me kamera që kanë regjistruar vrasjen e tifozit të ri.

Sipas informacioneve, tifozi grek që çoi huliganët në vendin e krimit është tifoz i skuadrës rivale të AEK-ut, Panathenaikos, dhe dy grupet e tifozëve Panathenaikos dhe Dinamo Zagreb janë në marrëdhënie të shkëlqyera.

Policia po vijon kontrollet e celularëve të sekuestruar të të arrestuarve, po ashtu thuhet se po shohin sërish pamjet e sigurisë nga vendi i sherrit, ndërsa grekët presin që kolegët kroatë të japin informacion për të arrestuarit.

Dje, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se tërbimi dhe huliganizmi i një grupi tifozësh të Dinamo Zagrebit javën e kaluar në Athinë dhe kaosi në të cilin u vra një tifoz grek i AEK-ut përfaqësonte një mohim të sportit dhe njollos imazhin e Kroacisë, dhe për rrjedhojë çdo lëvizje e tillë duhet të dënohet. Por ai tha gjithashtu se nuk ishte e mundur që të 100 të dyshuarit të ishin njësoj përgjegjës për trazirat dhe për këtë arsye u bëri thirrje autoriteteve greke që të dëbojnë tifozët e pafajshëm sa më shpejt të jetë e mundur.