Komuna e Kumanovës shtrenjtoi biletat dhe reduktoi linjat e transportit publik, qytetarët ankohen për shërbime të dobëta (Infografik)
Këshilli i Komunës së Kumanovës, më 29 tetor, ka shpallur thirrjen e re për kompanitë që do ta kryejnë transportin publik në pesë vitet e ardhshme. Me këtë vendim, janë shtrenjtuar biletat e transportit urban dhe janë reduktuar shtatë linja të autobusëve. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa çmimi i biletave do të rritet për 15 denarë, përkatësisht 30 denarë për vajtje-ardhje. Në territorin e Komunës së Kumanovës janë gjithsej gjashtë zona, ku çmimi i biletës përcaktohet në bazë të gjatësisë së linjës, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët me të cilët biseduam janë të zemëruar dhe shqetësuar për rritjen e çmimeve të biletave të transportit urban për 15 denarë në çdo biletë. Ata thonë se kjo do të jetë barrë e shtuar për qytetarët dhe do të ndikojë edhe më shumë në buxhetet familjare.
Arlind Osmani për Portalb.mk, tha se çmimet në përgjithësi janë shumë të larta, ndërsa tani duhet të paguajnë më shtrenjtë edhe për transportin publik.
“Çështja te kostoja që krijohet kur udhëton çdo ditë. Në fund të muajit, kjo përbën një shumë të konsiderueshme për qytetarët. Për më tepër, në qytet mungojnë kushtet elementare për një transport publik funksional, si autobusët e rinj, stacionet e mirëfillta për pritjen e autobusëve dhe infrastruktura rrugore që do ta bënte transportin publik më të lehtë dhe më tërheqës për banorët”, tha ai.
Një qytetar tjeter, Bleon Xhaferi, kërkoi që para se të rriten çmimet, transporti duhet të jetë efikas.
“Para se të rriten çmimet e transportit publik, autoritetet duhet të sigurojnë transport më cilësor, autobusë pa bonesa dhe kushte më të mira për qytetarët që shfrytëzojnë transportin publik”, tha ai.
Një i ri tjetër, Endrit Ajdini, tha se në kohë krize ku të gjithë çmimet po rriten, në vend se të ketë lehtësime dhe masa, komuna shtrenjton biletat e transportit edhe më shumë.
“Deri më tani nuk është bërë e ditur as arsyeja e shtrenjtimit të biletave të transportit publik, ndërsa komuna nuk interesohet se si kjo rritje do të ndikoj në buxhetin familjar”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga AKI-ja, Blerim Hyseni, e ka kritikuar vendimin për shtrenjtimin e biletave të transportit publik, duke ia atribuar këtë situatë, siç thotë ai, keqadministrimit shumëvjeçar dhe politikave populiste të kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Sipas Hysenit, pas rritjes së çmimeve për shërbimet e pastrimit dhe gjelbërimit, tani qytetarët do të përballen edhe me shtrenjtimin e transportit publik. Ai rikujtoi se transporti ishte subvencionuar nga komuna gjatë vitit 2025 dhe në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore kjo çështje ishte një nga premtimet e kreut të komunës.
“Për vetëm gjashtë muaj të mandatit të ri, jo vetëm që është hequr subvencionimi i transportit publik, por është vendosur edhe rritja e çmimit të biletave. Fatkeqësisht, pasojat e dështimeve në menaxhimin e komunës po barten gjithnjë e më shumë nga qytetarët”, deklaroi Hyseni.
Ai vlerësoi se politikat e tilla po e çojnë Kumanovën drejt një situate gjithnjë e më të vështirë financiare, me më shumë borxhe dhe dështime në menaxhimin komunal.
Udhëheqësja e Sektorit për Çështje Komunale, Lida Lang Spasovska, e arsyetoi vendimin për shtrenjtimin e biletave me faktin se çmimet e transportit publik nuk kanë ndryshuar që nga viti 2019. Sipas saj, transportuesit kanë kërkuar vazhdimisht përshtatjen e tarifave me rritjen e kostove të derivateve të naftës dhe pagës minimale. Ajo sqaroi se tarifat maksimale pa TVSH do të jenë: 50 denarë për zonën e parë, deri në katër kilometra; 60 denarë për zonën e dytë, deri në shtatë kilometra; 80 denarë për zonën e tretë, deri në 10 kilometra; 100 denarë për zonën e katërt, deri në 15 kilometra; 120 denarë për zonën e pestë, deri në 20 kilometra dhe 140 denarë për zonën e gjashtë, deri në 30 kilometra.
“Duhet të theksoj se këto çmime janë çmimet tavan dhe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se do të zbatohen në terren nga kompanitë transportuese, por kompanitë nuk mund të shkojnë mbi këto çmime”, deklaroi Lang Spasovska.
Ajo shtoi se transportuesit janë të detyruar t’i unifikojnë dhe harmonizojnë çmimet sipas zonave, bazuar në metodologjinë e përcaktuar.
Deri më tani, në qytet ka 26 linja, dhe me vendimin e ri, ato do të reduktohen në 19, sepse, siç tha Lang-Spasovska, ata besojnë se nuk ka nevojë për kaq shumë linja, pasi nuk janë fitimprurëse.
“Linjat po reduktohen, që do të thotë se do të reduktohen edhe kostot e transportuesve. Ne po bëjmë gjithçka në interes të atyre kompanive, po i plotësojmë interesat e tyre”, tha ajo.
Portalb.mk, ka kontaktuar për sqarime shtesë Komunën e Kumanovës, por nga atje deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Ndryshe, me vendimin e ri është paraparë zbritje prej 50 përqind për nxënësit dhe studentët e rregullt.
Nga ana tjetër, problemet kryesore të transportit publik kanë të bëjnë me mungesën e stacioneve të autobusëve në disa rrugë, mungesën e orareve të rregullta, parregullsitë në qarkullimin e linjave të caktuara dhe numrin e pamjaftueshëm të autobusëve dhe furgonëve. Po ashtu, qytetarët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e transportit të organizuar gjatë të dielave dhe festave zyrtare.
- LEXO: Kaos te Tregu i Gjelbër në Kumanovë: Komuna nuk e ndërtoi rrethrotullimin, semaforët nuk punojnë (VIDEO)
- LEXO: Kumanova e paralizuar nga kaosi në trafik: Kolona 30-minutëshe, semaforë të fikur dhe vetëm një merimangë (Video)
- LEXO: Qytetarët e Kumanovës ankohen se mungesa e transportit publik po i dëmton financiarisht