Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa në procesin eurointegrues, përmbush vetëm 16.2% e hapave të Agjendës së Reformave
Maqedonia e Veriut po humb ritmin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa vendet e tjera të rajonit dhe fqinjësisë lindore po përparojnë drejt fazave të ardhshme të negociatave. Kështu vlerëson analiza e Institutit Prespa, me titull “The Cost of Standing Still”, e cila shqyrton raportin e Komisionit Evropian për zgjerimin e vitit 2026 dhe krahasimin e Maqedonisë së Veriut me vendet e tjera, transmeton Portalb.mk.
Sipas analizës, Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina kanë marrë udhërrëfyes orientues për fazat e ardhshme të negociatave, ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në prag të hapjes së grup-kapitullit të parë, për shkak të kushtit për ndryshimet kushtetuese.
Në krahasimin e Agjendës së Reformave, vendi ka përmbushur vetëm 22 nga gjithsej 136 hapa të paraparë, apo 16.2 përqind. Gjithashtu, ka pranuar 18.9 përqind të mjeteve fillestare të alokuara në mënyrë indikative, përqindje më e ulët se ajo e Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Analiza paraqet edhe vlerësimin e përgatitjes dhe përparimit në kapitujt negociues për vitin 2026. Maqedonia e Veriut ka një mesatare prej 3.14 për nivelin e përgatitjes dhe 1.36 për përparimin vjetor. Instituti thekson se këto janë krahasime analitike të vetë autorëve dhe jo vlerësime zyrtare të Komisionit Evropian.
Instituti Prespa vlerëson se vendi ka shënuar përparim në disa fusha, përfshirë harmonizimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së dhe zbatimin e disa masave të Agjendës së Reformave. Megjithatë, këto rezultate ende nuk janë përkthyer në përparim të krahasueshëm në negociatat e anëtarësimit dhe në reforma të qëndrueshme në fushat themelore.
Në përfundim, analiza argumenton se ndryshimet kushtetuese dhe reformat e brendshme duhet të ecin paralelisht, në mënyrë që procesi i integrimit evropian të shërbejë jo vetëm për përmbushjen formale të kushteve, por edhe për forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.
Kujtojmë se, më 4 nëntor Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit të vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në. Raporti evidenton ngecje dhe mungesë progresi në disa fusha kyçe në Maqedoninë e Veriut. Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë përparim, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz. Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal nuk i kanë adresuar në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë shtuar pasigurinë juridike. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë.