Trump foli për fundin e luftës, Irani nuk tërhiqet: 7 kushtet për të nisur negociatat
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie uniteti kombëtar, gjatë fjalimit të mbajtur në parlamentin e ri, pas ceremonisë së betimit të deputetëve, raporton Klan.
Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të përballet së shpejti me presion ndërkombëtar për të pranuar një Iran të pajisur me armë bërthamore. Ai akuzoi regjimin iranian se synon shkatërrimin e Izraelit dhe e cilësoi këtë si një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi.
Sipas tij, përballimi i këtyre kërcënimeve kërkon bashkimin e forcave politike dhe krijimin e një qeverie të përbashkët. Kreu i qeverisë theksoi se vetëm një qeveri uniteti mund t’u përgjigjet në mënyrë efektive sfidave të sigurisë dhe presionit ndërkombëtar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta në Iran nuk ka marrë mbështetjen e pritur dhe se administrata e tij po shqyrton alternativa të tjera, megjithëse mundësia e një ndërhyrjeje të re ushtarake mbetet e hapur. Ndërsa përplasjet mes palëve vijojnë, me sulme të kufizuara dhe goditje iraniane ndaj anijeve cisternë të naftës, Uashingtoni po shqyrton edhe rrugën diplomatike. Në këtë kuadër, në Shtëpinë e Bardhë pritet të zhvillohen takime me ndërmjetësuesit nga Katari.
Paralelisht me përpjekjet diplomatike, Pentagoni dhe shërbimet amerikane të inteligjencës po përgatisin masa të tjera për të rritur presionin ndaj Teheranit. Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar një plan për vendosjen e një bllokade tokësore ndaj Iranit, i njohur si “Iron Gate”. Projekti po drejtohet nga rreth 20 oficerë në Tampa të Floridës dhe synon të monitorojë e të pengojë furnizimin e Iranit me armë dhe materiale të tjera përmes kufijve tokësorë dhe Detit Kaspik.