Fronti shqiptar opozitar: Qeveria dëshmoi se nuk e ka dert integrimin, por pushtetin

I ashtuquajturi front opozitar shqiptar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike përmes një kumtese të përbashkët reaguan pas seancës së sotme në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. Ata thonë se kryetari i Kuvendit, pa asnjë arsye formale, nuk e hodhi në votimin propozim-nevojën për hapjen e kushtetutës, shkruan Portalb.mk.

Sipas këtyre tre partive, kjo la të nënkuptohet se shumica parlamentare dhe kjo qeveri e di epilogun e atij votimi dhe prandaj nuk ka dashur të ballafaqohen me mungesën e shumicës së nevojshme për ndryshime kushtetuese.

“Duke e ditur se mungesa e numrit të 2/3-ve të deputetëve është edhe mungesë e legjitimitetit për të vazhduar qeverisjen, nuk mund të mos konstatojmë edhe një herë se kjo qeveri nuk e ka për dert që ta vonojë integrimin dhe mundësinë e hapjes së negociatave për BE kur bëhet fjalë për pushtetin e tyre personal. Në vend se ta hedhë në votim këtë pikë, që të dëshmohet shumica e nevojshme, kryetari i Kuvendit ia bëri edhe një shërbim kësaj shumice të brishtë, për t’ia zgjatur jetën edhe disa dite këtij pushteti, sa për të përfunduar edhe ndonjë transaksion financiar”, kumtuan tre partitë opozitare.

Ata u bënë thirrje aleatëve strategjikë ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, që t’ia bëjnë me dije kësaj qeverie se po i tejkalon të gjitha vijat e kuqe dhe se tashmë ajo është fajtore e vetme dhe e drejtpërdrejtë për mungesën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Nga ana tjetër, pas ndërprerjes së seancës sot, kryetari i Kuvendit – Talat Xhaferi u bëri thirrje deputetëve që të votojnë ndryshimet kushtetuese.

“Ardhmërinë evropiane të qytetarëve do e sigurojmë vetëm nëse me vendime të urta hyjmë në procesin i cili do të sigurojë prosperitet për shtetin tonë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë 120 deputetëve të qëndrojnë në anën evropiane, anën e vërtetë dhe bashkë ti votojmë ndryshimet e Kushtetutës”, tha Xhaferi.

Sot më herët gjatë ditës “përplasje” pati edhe ndërmjet kryeministrit- Dimitar Kovaçevski i cili vjen nga radhët e LSDM-së me VMRODPMNE-në.

Pas diskutimit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, kryeministri i vendit i mblodhi të gjithë ministrat rreth tij dhe përmes një deklarate për shtyp theksoi se do të bëjnë çmos që ndryshimet kushtetuese të kalojnë, në të kundërtën VMRO-DPMNE-ja mbetet fajtore për izolimin e vendit dhe qytetarët nuk do ua falin.

Reaguan nga VMRO-DPMNE, thanë se Kovaçevski gënjeu kur tha se kishte shumicë për ndryshimet kushtetuese.

Përndryshe, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e sotme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.