Kovaçevski i rrethuar nga ministrat: Qytetarët nuk do t’ia falin VMRO-së bllokimin e ndryshimeve kushtetuese, do bëjmë çmos të votohen

Pas diskutimit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, kryeministri i vendit i mblodhi të gjithë ministrat rreth tij dhe përmes një deklarate për shtyp theksoi se do të bëjnë çmos që ndryshimet kushtetuese të kalojnë, në të kundërtën VMRO-DPMNE-ja mbetet fajtore për izolimin e vendit dhe qytetarët nuk do ua falin. Reaguan nga VMRO-DPMNE, thonë se Kovaçevski gënjeu kur tha se kishte shumicë për ndryshimet kushtetuese, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri theksoi se sot në kuvend u bë e qartë se kush me të vërtetë do që RMV-ja të bëhet vend anëtar i BE-së dhe kush do ta bllokojë ardhmërinë evropiane të vendit.

“Sot u vërtetua se ideologjia e vetme e VMRO-DPMNE-së është bllokimi dhe izolimi, qytetarët e orientuar pro-evropianë nuk do ta harrojnë dhe as nuk do ua falin, ky bllokim të cilin ata aq shumë e përgatisin nuk ka asnjë arsye që të ndodhë. VMRO-DPMNE tregoi se nuk kanë argumente, nuk dinë të diskutojnë, me lehtësi të madhe ata tregojnë se janë të gatshëm ta bllokojnë ardhmërinë evropiane të qytetarëve për qëllime personale dhe kundër një jete më prosperuese dhe realizimin e qëllimit strategjik – anëtarësim i plotë në BE. Është e qartë se qëllimi i tyre është të bllokojnë dhe t’i shpëtojnë karrierat e tyre politike. Të gjithë ne e mbajmë mend se VMRO-DPMNE e izoloi dhe e bllokoi vendin drejt BE-së dhe si votoi kundër anëtarësimit në NATO”, deklaroi Kovaçevski.

Por, pavarësisht kësaj ai tha se do të bëjnë çmos që të sigurojnë shumicën për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Por, koalicioni pro-evropian nuk e ka ndërmend të bie në këtë sjellje joshtetërore dhe do të bëjë gjithçka ta largojë bllokimin në rrugën drejt BE-së të shtetit, nuk do të lejojmë që ardhmëria e qytetarëve dhe shtetit të jenë të bllokuar nga VMRO-DPMNE, vazhdojmë më tej të punojmë për interesat shtetërore dhe të sigurojmë shumicën me të cilën do të vazhdojë rruga evropiane e shtetit”, tha Kovaçevski.

Reaguan menjëherë nga VMRO- DPMNE, imazhin nga konferenca për shtyp e konsideruan si imazh të njerëzve nervozë, të frikësuar të cilët janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre personale në kurriz të së ardhmes së shtetit.

“Nuk ka më rëndësi se çfarë mendon Kovaçevski në vend pse ai është kryeministër ilegjitim i një qeverie jolegjitime. Sot Kovaçevskit iu desh të kërkonte falje që një vit të tërë gënjeu se kishte shumicë dhe se VMRO-DPMNE i kishte pranuar amendamentet kushtetuese. Në garën për 80 deputetë humbën kohezionin dhe mbështetjen e deputetëve nga qeveria, sepse të gjithë në LSDM e kanë të qartë se propozimi është i dëmshëm dhe se nuk duhet respektuar diktati bullgar”, thuhet në reagimin e VMRODPMNE-së.

Përndryshe, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e sotme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.