Eurodeputeti: Pa ndryshim të Kushtetutës, RMV-ja rrezikon të ndahet nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së

Eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për vendin në Parlamentin Evropian (PE) – Ilhan Kuçuk në një intervistë për BGNES ka theksuar se Maqedonia e Veriut pa i bërë ndryshimet kushtetuese nuk do të mund t’i fillojë negociatat me BE-në dhe se rreziku për tu ndarë nga fqinji i saj perëndimor – Shqipëria në rrugën e përbashkët eurointegruese është i pranishëm, transmeton Portalb.mk.

Kuçuk theksoi se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, Shqipëria do të ecë përpara ndërsa RMV-ja do të mbetet në grupin e shteteve që kanë probleme me fqinjët e tyre, si Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

“Zgjedhja është shumë e qartë – a dëshiron Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë rrugën e saj, duke reformuar marrëdhëniet shoqërore, apo do t’i bashkohet një grupi tjetër që nuk ka një udhërrëfyes të qartë për BE-në”, theksoi Kuçuk.

Ai theksoi se në RMV nuk ka unitet sa i përket synimit të shtetit për anëtarësim në Bashkim, prandaj luhet me atë se dikush do t’i vendosë vendit kushte shtesë më tutje.

Kur jemi te uniteti, partitë në pushtet të RMV-së dje publikuan një Manifest lidhur me negociatat për anëtarësim të plotë në BE ku kërkuan unitet në rrugën eurointegruese nga të gjithë partitë politike.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.