Kovaçevski-Varheji: RMV duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së, procesi i integrimit evropian pritet të vazhdojë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, ka zhvilluar një takim pune me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë Evropiane të Fqinjësisë të Bashkimit Evropian, Oliver Varheji. Në takim u konfirmua mbështetja e fortë e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe hapat dhe vendimet që duhet të ndërmerren për të siguruar vazhdimësinë e integrimit evropian dhe në fund të plotë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, dhe në përputhje me Kornizën Negociative të vendosur me BE-në, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u diskutua edhe për Planin e Rritjes së Komisionit Evropian, i cili vlerësohet si një shans i mirë për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët tanë, të cilët me këtë plan do të ndjehen pjesë e përfitimeve të anëtarësimit në BE edhe para se të anëtarësohemi. Siç u diskutua, me këtë plan jemi më afër qëllimit, anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi se fokusi i Qeverisë është në perspektivën e anëtarësimit në BE dhe se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, duke pasur parasysh se anëtarësimi në BE ka përkrahje të lartë nga qytetarët. Bashkëbiseduesit thanë se shpresojnë se të gjithë aktorët politikë do ta kenë parasysh mundësinë unike për ta çuar vendin përpara dhe do të përmbushin kërkesën e qytetarëve që vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se procesi i integrimeve evropiane nuk duhet të bllokohet, para së gjithash, duke pasur parasysh se është kundër vullnetit të qytetarëve, por edhe për faktin se ndalimi i procesit të integrimeve evropiane për shkak të mospërmbushjes së detyrimet nga korniza e negociatave gjithashtu do të pengojnë të gjitha proceset e zhvillimit ekonomik dhe social të nevojshëm për ta afruar shoqërinë maqedonase me standardet evropiane të jetesës.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.