Gir: Miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptojë përparimin e vendit drejt BE-së, pa vendime shtesë

Ambasadori evropian Dejvid Gir gjatë vizitës së sotme në Komunën e Shuto Orizarit deklaroi se në qoftë se Kuvendi i RMV miraton ndryshimet kushtetuese, nuk do të ketë vendime tjera shtesë që duhet të merren, që do të thotë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën drejt BE-së, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të kampanjës “BE me TY”, Ambasadori Dejvid Gir, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian, sot ka vizituar komunën e Shuto Orizarit. Në deklaratat për media që dha para objektit të komunës, theksoi se marrëveshja me Bullgarinë i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për në BE dhe kështu miratimi i ndryshimeve kushtetuese që u ngritën si pjesë e kësaj marrëveshjeje do ta çojnë vendin një hap më para drejt BE-së.

“Çështja e ndryshimeve kushtetuese u ngrit si pjesë e marrëveshjes dypalëshe me Bullgarinë dhe, siç dihet tashmë, ajo çështje ishte pjesë e marrëveshjes që u arrit në korrik 2022. Dhe ishte ajo marrëveshje që hapi mundësinë që Republika e Maqedonisë së Veriut të ecë me vendosmëri në rrugën e saj evropiane duke hapur negociatat për anëtarësim, e cila rezultoi në hapjen e procesit të shqyrtimit. Kuptohet se hapi i radhës në këtë proces varet nga ndryshimet kushtetuese dhe kjo është një çështje që është në dorën e vetë vendit, në dorën e Kuvendit dhe të askujt tjetër. Sigurisht, është një vendim sovran që duhet të marrë vendi, por pasi të merret një vendim i tillë, ne tashmë po kalojmë në hapin tjetër, që do të thotë se vendi vazhdon të ecë përpara në rrugën drejt BE-së, e cila, nga ana tjetër, do të thotë se nuk ka vendime të tjera shtesë se çfarë duhet të bëhet më pas”, tha Gir.

I pyetur nga gazetarët, ai theksoi se po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme dhe tragjike për shkak të agresionit rus në Ukrainë, i cili nga ana tjetër dha një vrull të ri në sferën e zgjerimit të BE-së, duke krijuar një mundësi që vendet kandidate të ecin më shpejt në rrugën e tyre të integrimit evropian. Gir u shpreh optimist se ndryshimet kushtetuese do të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që vendi më në fund të ecë përpara.

“Sepse unë besoj fortë se ky vend është në Bashkimin Evropian dhe ne dëshirojmë që ju të bashkoheni me ne sa më shpejt që të jetë e mundur, duke zbatuar të gjitha reformat që nevojiten për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Mirëpo, që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e VMRO-DPMNE për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtin mandat dhe çka nëse nuk ka cenzus në zgjedhjet presidenciale, ambasadori evropian Gir tha se kjo është një pyetje që shqetëson partitë politike dhe qeverinë.

“Kuptohet që zgjedhjet do të bëhen kur vetë Qeveria dhe të tjerët të bien dakord për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

Në lidhje me procesin e skriningut, i cili është në fazën përfundimtare, ambasadori evropian Gir tha se ka vetëm fjalë lavdëruese për punën e përkushtuar të qeveritarëve në këtë proces.

“Sa i përket procesit të skriningut, mund të them vetëm fjalë lavdërimi dhe të përshëndes përkushtimin dhe punën e përkushtuar të qeveritarëve. Mendoj se puna e tyre deri më tani ka qenë shumë e mirë dhe ndërsa i afrohemi përfundimit të këtij procesi mendoj se puna është shumë pozitive”, deklaroi Gir.

Ndryshe, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.