Kasami: Nuk do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese, Qeveria nuk e dëgjon zërin tonë

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, theksoi se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese pasi që Qeveria nuk i dëgjon kërkesat e tyre, shkruan Portalb.mk.

“Derisa qeveria nuk sheh interes ta dëgjojë zërin tonë, nuk do të votojmë për ndryshime kushtetuese. Pozicioni ynë është i qartë”, thotë Kasami.

Ai shton se Lëvizja BESA, por edhe tërë blloku opozitar shqiptar kanë parashtruar kërkesë deri te Qeveria që bashkë me ndryshimet kushtetuese, të ndryshohet edhe formulimi për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

“Ne si Besa presim që Qeveria të jetë më e arsyeshme. Ne padyshim jemi për ndryshime kushtetuese, pasi që e përshpejton rrugën tonë drejtë BE-së. Por Qeveria tregoi edhe njëherë se nuk është e interesuar që t’i shtyjë përpara, sesa është e interesuar që t’i mbijetojë edhe ditët e fundit dhe ta çojë mandatin deri në fund pse? Ne si lëvizje kemi lëshuar kërkesë formale, por edhe qëndrim i përbashkët i opozitës shqiptare është që në pjesën e ndryshimeve kushtetuese duhet të hyjë edhe ndryshimi i formulimit të gjuhës shqipe nga “gjuha që e flasin 20% të qytetarëve” në formulimin “gjuha shqipe”. Qeveria nuk e ndjen as përgjegjësinë më të vogël që atë ta vendos në procedurë pa pasur obligim në Kuvend që t’i sigurojë votat”, tha Kasami.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.