Sot në Bruksel filloi skriningu 3 ditor bilateral i RMV-së për Kapitullin 11, “Bujqësia dhe zhvillimi rural”

Sot në Bruksel filloi skriningu 3 ditor bilateral për Kapitullin 11, “Bujqësia dhe zhvillimi rural”, i cili  është pjesë Klasterit 5 “Resurset, bujqësia dhe kohezioni”. Kapitulli 11 përmban sërë rregullash detyruese, shumica e të cilave janë të zbatueshme drejtpërdrejtë. Aplikimi i korrekt i këtyre rregullave zbatimi efektiv dhe kontrolli nga ana e administratës efikase publike është i domosdoshëm për funksionimin e politikës së përbashkët bujqësore (PPB), transmeton Portalb.mk.

Para ekspertëve të Komisionit Evropian nga Drejtoria e përgjithshme për Bujqësi dhe zhvillim rural si dhe Drejtoria për fqinjëri të mirë dhe zgjerim, Zëvendësja e negociatorit kryesor me BE-në dhe Sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE), Drita Abdiu-Halili theksoi se Maqedonia e Veriut është lider në rajon lidhur me shfrytëzimin e fondeve të programit IPARD.

“Jemi krenar që nënshkruam Marrëveshjen financiare për programin IPARD 3 në fillim të muajit tetor. Krahas kësaj, realizimi i programit IPARD 2 është mbi 98%. Kjo na nxit dhe na jep shpresë se do të kemi 100% realizim të programit IPARD 3, sepse thirrja e parë publike tani më u publikua, me çka Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë në rajon që do ta fillojë zbatimin e programit të ri IPARD 3”, tha në fjalën e saj hyrëse Abdiu-Halili.

Pjesë e delegacionit maqedonas është edhe Ministri për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Ljupço Nikollovski, i cili para përfaqësuesve të Komisionit Evropian i prezantoi zgjidhjet e reja ligjore, kornizën ekzistuese ligjore, kapacitetet institucionale si dhe mundësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet bujqësia maqedonase dhe zhvillimi rural. Përveç Ministrisë për Bujqësi Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave i cili është institucion bartës për këtë kapitull, delegacionin maqedonas e përbëjnë dhe përfaqësues nga: Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillimin rural, Inspektorati shtetëror i bujqësisë, Agjencia për ushqim dhe veterinari, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit si dhe përfaqësues nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Nesër dhe pasnesër vazhdon skriningu bilateral për Kapitullin 11, në të cilin do të prezantohet se çfarë progresi është arritur dhe çfarë po bëjmë për përforcimin e tregut bujqësor në vendin tonë.

Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar punoi për transpozimin e legjislaturës relevante të BE-së, si dhe në përforcimin e kapaciteteve administrative dhe operative. U miratua strategjia nacionale për bujqësi dhe zhvillimin rural 2021-2027. Strategjia është në përputhje me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së 2023-2027.

Më 5 dhe 6 tetor në Bruksel u zhvillua skriningu bilateral për Kapitullin 22, “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, i cili është pjesë e Klasterit 5, “Resurset, Bujqësia dhe Kohezioni”, që përfshin rregullore lidhur me planifikimin dhe zbatimin e politikës së kohezionit të Bashkimit Evropian dhe përdorimin e Fondeve strukturore dhe investuese evropiane. Ndërsa më 14 dhe 15 shtator u zhvillua skriningu bilateral për Kapitullin 15 – Energjetika dhe Kapitulli 21 Rrjetet transevropiane, si pjesë e Agjendës së gjelbër i Klasterit 4 ndërlidhja e qëndrueshme.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka përmbyllur skriningun bilateral dhe shpjegues për 4 Klasterë, apo gjithsej 26 Kapituj dhe 3 fusha. Mbetet që deri në nëntor të këtij viti, ta kompletojnë edhe skriningun bilateral për dy Kapitujt e fundit, respektivisht të përfundojnë skrining takimet për 7 kapitujt e mbetur për 2 klasterët e fundit: Resurse, bujqësi dhe kohezion dhe Marrëdhëniet e jashtme.

Skriningu është proces që Maqedonia e kalon me synim për t’ua anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.