Fronti opozitar i shqetësuar për korridoret 8 dhe 10 D: Teatër i ri nën regjinë e BDI-së, keqpërdorin edhe SHBA-të

Para disa ditëve ishim dëshmitarë të një teatri të ri nën regjinë e BDI-së, ku pamë tek përvetësohet dhe familjarizohet projekti strategjik i korridoreve 8 dhe 10. Kështu ka reaguar sot i ashtuquajturi fronti opozitar i përbërë nga Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike në lidhje me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 D, transmeton Portalb.mk.

Nga atje thonë se i gëzohen u gëzohen projekteve të tilla, por se nuk mund të rijnë heshtur kur në çdo rast Artan Grubi dhe BDI keqpërdorin pushtetin, duke prodhuar e mbuluar skandale të reja korruptive për të përfituar nga çdo anë.

“Sikur të mos mjaftojë fakti që Artan Grubi keqpërdor rolin e tij për të personalizuar suksesin, sikur të mos mjaftojë fakti që në mes të projektit vlon konflikti i interesit, duke qenë se kompanitë EUROVIA dhe AK INVEST janë donatorët më të mëdhenjtë të BDI-së, ai madje keqpërdor prezencën e Ambasadores për të mbuluar skandalet e tilla korruptive”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Ata pyesin se, a i tregoi Artan Grubi Ambasadores së SHBA-ve, Anxhela Ageler, se e keqpërdor prezencën e saj për të mbuluar skandale të reja me donatorë partiak të BDI-së?

“Sa milionë euro do të derdhen në llogaritë e ‘’Eurovia’’ dhe ‘’Ak Invest’’? Sa nga ato mjete do të derdhen në llogarinë e BDI-së e sa në xhepin e disa klientelistëve të instaluar përreth Ali Ahmetit? A ka gjetur mënyrë Artan Grubi që të fitojë provizion edhe kur do të jetë në opozitë? Pse Artan Grubi përgjegjësinë për mëkatet e tij personale ia hedh kompanisë Amerikano-Turke, Bechtel dhe Enka?”, thonë nga fronti opozitar.

Ata shtuan se BDI ka arritur në atë fazë ku tashmë keqpërdor edhe partneritetin strategjik me SHBA-të për pasurimin personal të këtij subjekti dhe funskionerëve të tij.

Kujtojmë se me 12 shtator, me minimin në fshatin Banjicë e Epërme në afërsi të Gostivarit për të disatën herë u shënuan fillimet e punimeve për Korridorin 8  i cili shtrihet nga Tetova në Gostivar, vazhdon në Kërçovë, Strugë deri në Qafë Thanë. Në këtë ngjarje të pranishëm dhe fjalë rasti patën  ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Aggeler, ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

 1 qershor në formë simbolike në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Ndërkaq, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për Transport dhe Lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore.

Rikujtojmë se Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027.

Ndërtimi i Korridorit 8 për RMV-në për momentin është investim më i leverdishëm nga Korridori rrugor 10. Të dhënat nga numërimi i automjeteve në segmentet rrugore të këtyre dy korridoreve që kalojnë nëpër vendin tonë tregojnë se në rrugët prej Shkupit deri në kufirin me Shqipërinë ka frekuencë më të madhe të automjeteve se nga Korridori rrugor 10.

Ndryshe, ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D nga “Bechtel dhe Enka” kërkon rreth dy mijë punëtorë nga fusha të ndryshme.