RMV, Grubi dhe ministrat edhe njëherë promovuan fillimin e punimeve për Korridorin 8

Me minimin në fshatin Banjicë e Epërme në afërsi të Gostivarit edhe njëherë u shënuan fillimet e punimeve për Korridorin 8  i cili shtrihet nga Tetova në Gostivar, vazhdon në Kërçovë, Strugë deri në Qafë Thanë, transmeton Portalb.mk.

“Sot bëmë nisjen fizike të punimeve në ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, sot bëmë minimin e malit në afërsi të Gostivarit dhe i gjithë ky material do shërbejë për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar si dhe rrugës anësore magjistrale midis Tetovës dhe Gostivarit. Ndërsa këtu ku po qëndrojmë ne do të kalojë autostrada e re nga Gostivari deri në Kërçovë”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër, i cili apeloi që qytetarët të aplikojnë për vende pune në Bechtel dhe Enka.

Angela Aggeler, Bllagoj Boçvarski, Ejup Rustemi, Artan Grubi në minimin në fshatin Banjicë e Epërme afër Gostivarit ku do të kalojë korridori 8. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Angela Aggeler, Bllagoj Boçvarski, Ejup Rustemi, Artan Grubi në minimin në fshatin Banjicë e Epërme afër Gostivarit ku do të kalojë korridori 8. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Aggeler tha se është e lumtur që Bechtel ndërton këto rrugë.

“Të gjithë ne erdhëm nga kjo rrugë e vogël. Unë personalisht pres me padurim , jam e sigurt se edhe shumë qytetarë të këtij vendi presin të kenë rrugë të re të bukur dhe të gjerë në të cilën është e lehtë për të vozitur dhe jam vërtet mirënjohës që kjo është ecur përpara”, tha Aggeler.

I pyetur nga gazetarët, Grubi theksoi se Bechtel&Enka do të përfundojë punimet më shpejtë se autostrada Kërçovë Ohër që po ndërtohet nga kinezët.

Nga Bechtel dhe Enka thanë se kanë zgjedhur 37 sub-kontraktues, 36 nga të cilët janë kompani nga vendi.

Ndërtimi i Korridorit 8 për RMV-në për momentin është investim më i leverdishëm nga Korridori rrugor 10. Të dhënat nga numërimi i automjeteve në segmentet rrugore të këtyre dy korridoreve që kalojnë nëpër vendin tonë tregojnë se në rrugët prej Shkupit deri në kufirin me Shqipërinë ka frekuencë më të madhe të automjeteve se nga Korridori rrugor 10.

 1 qershor në formë simbolike në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Ndërkaq, 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për Transport dhe Lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore.

Rikujtojmë se Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027.

Ndryshe, ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D nga “Bechtel dhe Enka” kërkon rreth dy mijë punëtorë nga fusha të ndryshme.