“Eurovia” nënkontraktor edhe i “Bechtel-Enka”, për opozitën informacion shokues, për qeverinë asgjë kontradiktore

Punimet ndërtimore për ndërtimin e autostradës Gostivar-Kërçovë kanë nisur dje në afërsi të fshatit Gostivar Banjicë e Epërme nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka”. Portali A1on.mk së fundi ka raportuar se kompanitë “Eurovia”, “AK Invest” dhe “Stanton Gradba” janë kompanitë që janë përzgjedhur si nënkontraktorë, ndërsa zëvendëskryeministri Artan Grubi nuk e mohoi përzgjedhjen e nënkontraktorëve në ceremoninë e djeshme, transmeton Portalb.mk

“Përgjegjësia e plotë për nënkontraktorët është në dorën e kompanisë “Bechtel dhe Enka”. Njerëzit do të jenë të vetëdijshëm për dinamikën e punës së konsorciumit amerikano-turk. Kjo është rruga e re që do të çojë në Kërçovë”, tha zëvendëskryeministri Grubi, i cili dje i uroi punë të suksesshme konsorciumit amerikano-turk.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë sot se është tronditës fakti që një kompani donatore e BDI-së është zgjedhur nënkontraktor kryesor i “Bechtel dhe Enka”.

“Kompania Eurovia, siç është bërë e ditur në opinion, ka dyshim të bazuar se ka marrë tender nga MPJ për riprshtatjen e qendrës sportive Boris Trajkovski në mënyrë të dyshimtë dhe për nevoja të një aktivitet i organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në dhjetor të këtij viti. Dhe e njëjta kompani apo një kompani e lidhur me këtë kompani paraqitet si një nga donatorët e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim”, thotë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i pyetur për të komentuar faktin se kompania donatore e BDI-së, e cila mori tenderin nga Ministria e Jashtme në krye me Bujar Osmanin, tashmë është zgjedhur si nënkontraktor kryesor për ndërtimin e Korridorit 8.

Mickoski thotë se kemi kompani që në njëfarë mënyre i sfidon përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Në një deklaratë për media, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, i cili është në pozitën e emëruar si kuadër i BDI-së, tha dje se mbi 170 milionë euro i janë transferuar konsorciumit “Bechtel dhe Enka” deri më tani këtë vit për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d.

Ndryshe, statusi i nënkontraktorit në autostradën Gostivar-Kërçovë nuk është rasti i vetëm që ka shkaktuar reagime në opinion lidhur me angazhimet e marra nga kompania “Eurovia”.

Rreth 15 ditë më parë aktual ishte tenderi që Ministria e Punëve të Jashtme ia ka dhënë të njëjtës kompani, e cila për 1,8 milionë euro duhet ta adaptojë sallën “Boris Trajkovski” për konferencën e OSBE-së në Shkup që do të mbahet në dhjetor të këtij viti.

Ministri Bujar Osmani më 30 gusht të këtij viti siguroi se nga media ka mësuar se kompania “Eurovia” është donatore e partisë BDI, duke shtuar se procedura e tenderit për përzgjedhjen e kompanisë ka qenë jashtëzakonisht transparente dhe se ministria nuk ka pasur mundësi të reagojnë dhe anulojnë tenderin.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në fund të gushtit njoftoi se do të hapë rast për tenderin që “Eurovia” ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme. KShPK-ja aktualisht është duke analizuar të gjithë dokumentacionin dhe po punon për këtë rast, pas së cilës do të publikojë informacione për opinionin.

Por nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë, më 11 shtator, Komisioni Kundër Korrupsionit në një seancë konstatoi se partia BDI ka shkelur Ligjin për financimin e partive politike, sepse në vitin 2022 ka pranuar donacione më të mëdha se sa lejohet me ligj, ndërsa fondet e tepërta të “Eurovia”-s nuk i ktheu menjëherë ose brenda 15 ditëve nga marrja, por vetëm në korrik 2023.

Me këtë, KShPK-ja mori vendim që lëndën lidhur me donacionet për BDI-në t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe Entit Shtetëror të Auditimit si institucione kompetente.