Takimi Petrovska – Karlin në Pentagon: Intensitet i fortë i bashkëpunimit të mbrojtjes RMV-SHBA

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në Pentagon ka takuar Mara Karlin, ushtruese e detyrës së zëvendëssekretares së mbrojtjes së SHBA-së për politikë të mbrojtjes. Në takimin me Karlin, ministrja theksoi se bashkëpunimi i fuqishëm maqedono-amerikan rrit sigurinë dhe forcon mbrojtjen kolektive në Aleancë, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca në NATO nuk është vetëm një fjalë – është vlera jonë më e madhe. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbrojmë vlerat dhe parimet që besojmë si shtete dhe si shoqëri. Më vjen mirë që jemi plotësisht të përkushtuar ndaj bashkëpunimit në mbrojtje. Me mbështetjen amerikane për ushtrinë dhe objektet stërvitore maqedonase, ne po zhvillojmë ndërveprueshmërinë dhe aftësitë e secilit prej pjesëtarëve tanë”, tha Petrovska.

Petrovska falënderoi për mbështetjen e SHBA-së në procesin e modernizimit dhe pajisjes dhe tha se investimet intensive në Armatë, të cilat janë investime në sigurinë e vendit dhe të qytetarëve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Takimi Sllavjanka Petrovska - Mara Karlin në Pentagon. Foto: Ministria e Mbrojtjes e RMV-së
Takimi Sllavjanka Petrovska – Mara Karlin në Pentagon. Foto: Ministria e Mbrojtjes e RMV-së

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani e kanë mbështetur mbrojtjen e Maqedonisë me 330 milionë dollarë, prej të cilave vetëm vitin e kaluar janë investuar mbi 135 milionë, kurse buxheti i brendshëm për mbrojtje vitin e ardhshëm do të arrijë në 2 përqind të bruto produktit të brendshëm”, tha Petrovska.

Mes tjerash ministrja theksoi se Udhërrëfyesi që e nënshkroi me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Llojd Austin në qershor, është një dokument që përshkruan rrugën nëpër të cilën do të ecë bashkëpunimi i mbrojtjes maqedono-amerikane.

Karlin siç njoftuan nga Ministria, theksoi se për Shtetet e Bashkuara, Maqedonia e Veriut është një aleat i përkushtuar dhe i dëshmuar dhe se mbështetja amerikane në të gjitha proceset zhvillimore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.