RMV, Kuvendi në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave, u tërhoq ligji për trashëgimi kulturore

Deputetët e shumicës parlamentare, pas reagimeve të shumta në opinion, në seancën e sotme kuvendore e tërhoqën propozim-ligjin për plotësim të Ligjit për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore përmes procedurës së shkurtuar. Propozim-ligjet tjera do të miratohen sipas procedurës së shkurtuar. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d, njofton Portalb.mk.

Në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-në e lëshuan sallën kuvendore, në shenjë të revoltës.

“Planifikohet pazar tjetër koalicioni nga pushteti dhe vazhdon praktika që të ndryshohen ligje në derë të vogël pa u marrë parasysh vërejtjet tona dhe të ekspertëve. Kemi një sërë vërejtjesh, dukshëm pushteti nuk ka qëllim që të përballet me argumentet, deputetët nga shumica i plotësojnë detyrat partiake dhe mbeten të shurdhër ndaj vërejtjeve të opinionit dhe protestave të shoqatave”, tha koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Ai apeloi deri te deputetët e pushtetit që të tërhiqen nga qëllimi i ndryshimeve të këtyre ligjeve që të miratohen me procedurë të shkurtër dhe të organizohet debat publik në të cilën ekspertët do të japin mendime dhe argumente.

“Deputetët nuk janë ekspertë që të qëndrojnë mbrapa këtyre ligjeve të mëdha. E lëshojmë seancën dhe do të kemi amendamente thelbësore ndaj të cilëve do të debatojmë dhe do të kërkojmë që të dëgjohemi nga ju dhe opinioni. Këtë herë nuk do të ju kalojë”, tha Micevski.

Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, i tha Micevskit se atë që e bëjnë ka një qëllim, që të shkatërrohet reputacioni i projektit më të madh infrastrukturor në 70 vitet e fundit.

“Vendimi i opozitës është i tyre, nuk ikim nga debati as duam diçka me shpejtësi, por i shohim problemet në terren. Nga gjithsej 8 ligje, 7 janë në komisione që i udhëheqë opozita, për financim, transport, bujqësi. Aty mund të flasim për të gjithë argumentet, të miratomë të gjithë vendim që shteti të zhvillohet shpejtë dhe të mos shpikim nga çdo projekt krim eventual. Organizoni komisionit të bëjmë debat, mos bëni tentim për histeri nga projekti më i madh në shtet”, tha Mitrevski.

Maja Moraçanin nga RDM tha se nuk ka mëdyshje se këto projekte janë të nevojshme, por theksoi se ligjet që propozohen të ndryshohen me procedurë të shkurtër, përfshijnë fusha të ndryshime dhe japin privilegje të mëdha për ato që e kryejnë projektin.

“Nuk vlerësoj se dikush duhet të jetë aq i privilegjuar pasi që do të bëjë projekt me interes për qytetarët. Ligjet të tërhiqen, të mos miratohet rendi i ditës, të miratohen në konsultim me ekspertët. Kjo nuk është mënyrë për t’i ndryshuar ligjet të cilët ndikojnë në procedurat e ligjeve tjera”, tha Moraçanin.

Arbër Ademi nga BDI, i cili është nënshkruesi i propozimeve për ndryshim dhe plotësim të tetë ligjeve, i ka sqaruar çdonjërin veç e veç, ndërkaq deputetët me shumicë të votave u deklaruan për nevojën që ata duhet të ndryshohen sipas procedurës së shkurtuar.

Jo të gjithë deputetët e shumicës votuan “për” ndryshimet e ligjeve sipas procedurës së shkurtër, kishte edhe prej tyre që kanë votuar “përmbajtur” dhe “kundër”.

Nga ana tjetër, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) sot i ka dërguar Kuvendit të RMV-së një udhëzim me rastin e shpalljeve për miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar.

“Në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021-2025, në sektorin e Sistemit Politik, si një nga problemet prioritare që duhet adresuar, është miratimi i një numri të madh ligjesh me procedurë të shkurtuar pa arsyetim adekuat. Për këto arsye, në Strategjinë Nacionale theksohet se është me rëndësi thelbësore që të sigurohet përdorimi racional i instrumentit për miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të ngrihet cilësia e procesit të miratimi i ligjeve përmes një rregullimi më të detajuar të vlerësimit të ndikimit të rregullores”, tregojnë nga KSHPK.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thekson se miratimi i paralajmëruar i ligjeve në procedurë të shkurtuar duhet të rishqyrtohet sepse shkatërron postulatet themelore të shtetit të së drejtës, rrit rrezikun e korrupsionit dhe nuk lë vend për debat publik për përmbajtjen. të dispozitave të ligjit.

U vendos gur-themeli i Korridorit 8 në Tetovë

Më 4 prill në Tetovë u vendos gur-themeli i Korridorit 8, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade e cila vazhdon në Gostivar – Bukojçan- Trebenisht – Strugë dhe Qafë Thanë.

Kujtojmë që më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Bechtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.

Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inxhiniering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohen për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button