Disa politikanë më kanë konsultuar për mundësinë e amnistimit të Gruevskit, pohoi Pendarovski

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka deklaruar se para disa muajve është konsultuar nga disa aktorë politikë për amnistimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai në TV 24 deklaroi se nëse do i dorëzohet nismë për amnistim të Nikolla Gruevskit, ai nuk do ta bënte këtë, transmeton Portalb.mk.

“Para shtatë-tetë muajsh, në nivel jo formal, disa aktorë të skenës politike më konsultuan rreth kësaj mundësie, se çfarë mendoj rreth kësaj mundësie. U thash në mënyrë të prerë se, nuk do ta bëja asnjëherë atë, sepse ajo do të ishte rrënim i shtetit ligjor. Ai lloj i amnistimit është në Kushtetutë, por unë nuk mendoj se jam sulltan apo monark i këtij shteti që për vepra të tilla penale, të gjykojë vet dhe të vendosi çfarë është e drejtë dhe çfarë jo”, deklaroi Pendarovski.

Ndaj kësaj deklarate reagoi VMRO DPMNE-ja, kërkuan nga Pendarovski të tregojë detaje se kush janë ata politikanë.

“Pendarovski që sot duhet të përgjigjet se kush ka kërkuar amnistim nga ai? Pendarovski thotë se, citoj, “është konsultuar nga disa aktorë politikë të skenës politike” për amnistim dhe për këtë, tani duhet të jetë më preciz dhe i qartë, të theksoj kush nga politikanët e ka konsultuar Pendarovskin para disa muajve për amnistim”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Pas deklaratës së VMRO-DPMNE-së, reaguan nga Presidenca e RMV-së, theksuan se në dy raste i janë bërë propozime presidentit Stevo Pendarovski që të shqyrtojë ose të mbështesë miratimin e ligjit aktual për amnisti për politikanë aktual dhe ish-politikanë.

“Këto propozime, përmes ndërmjetësve, i janë dërguar presidentit Pendarovski nga strukturat politike dhe të sigurisë që janë të afërta me opozitën aktuale, si dhe nga ish-politikanë”, thanë nga Presidenca.

Ndërkaq, pas deklaratës së presidentit, reagoi edhe partia Alternativa.

“Në pyetjen tonë të parë publike se “A i ka lutur, deri në qiell, Ali Ahmeti disa nga ndërkombëtarët, gjatë një takimi në Shkup, që ta lejojnë amnistinë e Nikolla Gruevskit?!”, përgjigjen e dha Presidenti Stevo Pendarovski. Faleminderit President për konfirmimin e informacionit! Pas kësaj besoj se do të përgjigjet edhe personi të cilit iu parashtrua pyetja”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.