“Bechtel dhe Enka” filloi të kërkojë punëtorë për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, nevojiten rreth dy mijë

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D nga “Bechtel dhe Enka” kërkon rreth dy mijë punëtorë nga fusha të ndryshme. Për këtë, sot u hap panairi i punësimit në Agjencinë për Punësim të Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

Sot, në ditën e parë të panairit, afër pesëdhjetë persona aplikuan për punë në “Bechtel and Enka”, qytetarët më së shumti ishin të interesuar për rrogën, orarin si dhe kohën kur do të marrin përgjigje për aplikimin e tyre.

Në këtë ngjarje ishte edhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, theksoi se dy korridoret janë projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit, duke apeluar që qytetarët të aplikojnë për punë pasi është projekt që do zgjas pesë vjet.

“Të gjithë ne bashkërisht apelojmë te të gjithë qytetarët e vendit tonë jo vetëm të Gostivarit por të gjithë Pollogut dhe gjithë vendit tonë që të aplikojnë për vende pune, ku ka vend për të gjithl me kualifikime të ndryshme”, tha Grubi.

Drejtori i projektit, Joshua Baker u përgjigj në disa pyetje rreth rrogave të punëtorëve punëtorëve dhe fillimin e punimeve, por pa përmendur shifra dhe afate të precize.

“Në javët në vijim mund të fillojmë punimet ndërtimore në terren. Jemi duke bërë përpjekje serioze për të nisur së shpejti punimet. Po bashkëpunojmë me Qeverinë dhe komunat për shpronësimin e tokës dhe përgatitjet”, tha Baker.

Ndër të tjera ai theksoi se pret që më shumë firma lokale të përfshihen si nënkontraktorë.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir. Ndërkaq më 1 qershor në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.