Me autostradat e “Bechtel Enka”-s janë cenuar pikat e kontrollit që sigurojnë integritet në vendimmarrje

Aktorët e korruptuar janë sulur drejt legalizimit të praktikës korruptive që të sigurojnë që edhe me të ardhme të paparashikueshme ta evitojnë drejtësinë. Ose shkurtimisht, nga keqpërdorimi i rregullave të vendosura korrupsioni transferohet në domenin e vendosjes së rregullave.

Ky është një nga konstatimet e аnalizës  të Institutit për Demokraci që përqendrohet te lëshimet sistemore lidhur me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Sot në hotelin “Panoramika” u mbajt evenimenti “Integriteti në vendimmarrje: Lëshimet sistemore në rastin “Bechtel-Enka”, në të cilin u diskutua mbi lëshimet gjatë procedurës së përzgjedhjes së kompanisë për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradave në Korridoret 8 dhe 10d, si dhe lëshimet gjatë lidhjes së marrëveshjes midis Qeverisë dhe konzorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradave.

Misha Popoviq, udhëheqësi i Qendrës për Menaxhim të Mirë pranë Institutit për demokraci theksoi se rasti me “Bechtel-Enka”-n tregon se vetë institucionet  që duhet ta ruajnë rrugën e tyre procedurale për marrjen e vendimeve nga fillimi deri në fund, nuk kanë arritur të kontrollojnë gjegjësisht në pengojnë ligje për miratimin e të cilëve ka lëshime procedurale, që të mos shqyrtohen, të kthehen pas apo të aktivizohet veto-ja.

“Është e pritshme se ulja e rrezikut tek aktorët e korruptuar është pikërisht në eksploatimin e dobësive procedurale dhe krijimin e ligjeve speciale ose ndryshimin e ligjeve që japin privilegj të përcaktuar dhe me atë evitohet përgjegjësia penale potenciale në të ardhmen. Kjo na bën me dije për nevojën e presionit më të madh për përdorimin e mekanizmave mbrojtës që janë së shkruar mirë, por që kemi problem me implementimin e tyre. Njëkohësisht me siguri në të ardhmen do të duhet të kontrollohet se në çfarë mënyre pushteti gjyqësor mund të kyçet në mbrojtjen e krijimit të vendimeve”, thotë Popoviq.

Gazetarja e “Prizma”-s, Frosina Dimeska dhe gazetari i “360 shkallë”, Aleksandar Dimitrievski, e kanë ndjekur këtë rast. Dimeska tha se hulumtimet e “Prizma”-s tregojnë se institucionet shtetërore kanë bërë disa lëshime.

“Hulumtimi jonë tregoi kompetentët gjegjësisht institucionet shtetërore nuk bëjnë verifikime të thella dhe më serioze të atyre të konkurrojnë nëpër tenderë madje edhe kur japin para të mëdha nga buxheti shtetëror, por edhe kur ngarkohen me kredi. Gjithashtu tregon se kompetentët kanë një mësim të pa mësuar nga përvoja e mëparshme me projektet e deritanishme, si ai me ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, për të cilin u morën kredi kineze. Edhe ajo është autostradë e cila ishte kontraktuar me ligj special, ndërsa është autostradë për të cilën deri tani shumë herë është shkelur afati i ndërtimit, u rrit shumëfish shuma fillestare, ndërsa u hap edhe rast gjyqësor”, shtoi Dimeska.

Një nga misionet e gazetarisë është të jetë qen roje i interesit publik dhe këtu nuk mendoj vetëm në lidhje me vendimet politike por edhe në lidhje me shpenzimin e mjeteve publike, konsideron Dimitrievski.

“Shtytësi jonë kryesor ishte që të mbahet një tension dhe të bëjmë kujdes për çdo hap se si do të shpenzohen paratë shtetërore. Në të gjithë rastin kemi kapërcim të një sërë zgjidhjes ligjore dhe nënligjore që të bëhet presion për tu ndërtuar ky projekt”, shtoi Dimitrievski.

Përndryshe, në analizë shënohet se rasti me miratimin e Ligjit për korridoret 8 dhe 10d tregon se si katër pika kontrolli në proces një pas një nuk arrijnë që të sigurojnë integritet gjatë vendimmarrjes.

Interesi privat i konzorciumit hyn pa pengesa në procesin e miratimit të vendimeve në Qeveri, ku lihen anësh ligje dhe rregullore për punë. Kuvendi nuk e kryen rolin e tij kontrollues dhe konsultues, por duke lënë anësh rregulloren e tij të punës mundëson lëshime thelbësore gjatë miratimit të ligjeve të diskutuara.

“Pika e fundit, në rrugën e një ideje deri në hyrjen e ligjit në fuqi, Kryetari i shtetit i anashkalon të gjitha lëshimet e akumuluara paraprakisht dhe nuk e përdor rolin e tij të kundërpeshës në procesin e vendimmarrjes. E gjithë kjo na çon te nevoja që në të ardhmen të zgjerohet vëllimi i kontrollit, përfshirë këtu edhe pushtetin gjyqësor në vlerësimin e procesit të vendimmarrjes”, shkruan në analizë.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.