Autostradat e korridorit 8 dhe 10d mund të kenë ndikim negativ në fondin pyjor

Ende nuk ka vlerësim të ndikimit në mjedis për pjesën e parë të autostradës Gostivar-Bukojçan, ku ka një shtrirje pyjore. Për shkak të mungesës së qartësisë dhe saktësisë së dispozitave të Ligjit për mjedisin jetësor, shtrohet pyetja se a ka filluar procesi për vlerësimin e ndikimit të segmentit Gostivar-Bukojçan. Këto janë pjesë e konkluzioneve të Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë, e cila ka nxjerrë dokumentin e politikave publike me titull “Korridoret 8 dhe 10d – A kemi garanci të mjaftueshme se ndërtimi i autostradave nuk do të ketë ndikim negativ në fondin pyjor”, transmeton Portalb.mk.

Dokumenti i referohet ndërtimit të autostradave dhe mbrojtjes së mjedisit përmes prizmit të BE-së, por edhe legjislacionit vendas.

Më 7 mars 2023, qeveria e RMV-së miratoi kontratën për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d. Grupe deputetësh kanë dorëzuar nëntë propozime për ndryshimin e ligjeve, të cilat sipas arsyetimit janë të nevojshme për realizimin e projektit. Ndër të tjera u propozuan ndryshime në Ligjin për Pyjet. Qeveria më 8 maj të këtij viti duke përdorur të ashtuquajturat procedurë e shkurtuar me “flamur evropian” ka paraqitur propozime për pesë nga ligjet për të cilat ishin paraqitur propozime nga deputetët.

Në dokumentin e Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë, theksohet se vlerësimi i ndikimeve mjedisore gjatë ndërtimit të autostradave është i detyrueshëm dhe nuk guxon të lihet vetëm për shkak të natyrës strategjike të realizimit të projektit.

Në të njëjtën kohë, dokumenti rekomandon që vlerësimi i ndikimit në mjedis gjatë ndërtimit të autostradave duhet të përmbajë propozime se si rruga duhet të jetë rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

“Kjo nuk është vetëm një rregull i pranuar në vendet e zhvilluara, por është adoptuar si praktikë gjatë ndërtimit të disa autostradave tona. Një projekt i tillë i detajuar me një vlerësim të ndikimit në mjedis, duke marrë parasysh ndryshimet klimatike, duhet të jetë i disponueshëm për çdo ndërtim autostradash”, thuhet në rekomandim.

Dokumenti përmend se vendi duhet të respektojë ligjet dhe rregulloret e tjera.

“Publiku duhet të përfshihet në procesin e vendimmarrjes për ndërtimin e autostradave. Mungesa e një vlerësimi të disponueshëm të ndikimit në mjedis është në kundërshtim me Konventën e Aarhus-it”, rekomandon dokumenti i publikuar.

Dokumenti është përgatitur në kuadër të projektit “Organizatat Civile në Veprim për Klimën”, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim – SIDA.