Tetovë, filluan aktivitetet punuese për Korridorin 8, funksionarët premtojnë se do të mbarojnë në vitin 2028

Sot në Tetovë afër pikë-pagesës rrugore për në Gostivar filluan punimet për Korridorin 8 i cili shtrihet nga Tetova në Gostivar, vazhdon në Kërçovë dhe në Strugë deri në Qafë Thanë, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi tha se sot fillojnë katër aktivitete në lidhje me nderimin e Korridorit 8.

“Fillojmë me hulumtimet gjeomekanike të përbërjes së tokës, njëkohësisht fillojmë edhe me eksproprijimin, njëkohësisht fillojmë edhe me projektimin dhe me mobilizimin e të gjitha kompanive për ndërtimin e autostradës. Të gjithë qytetarët e RMV-së do të kenë mundësinë që nga 1 janar 2028 të udhëtojnë në Korridorin 8”, theksoi Rustemi.

Ai theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes me konsorciumin “Betchel and Enka” fillohet me konceptin e ri të ndërtimit të autostradave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Më autostradat nuk do të ndërtohen nga dhjetë vite por këto 110 kilometra autostradë do t’i ndërtojmë për katër vite e shtatë muaj”, tha Rustemi duke shtuar se deri tani janë paguar 117 milionë euro.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve si dhe zëvendëskryeministri i parë.

Ndërtimi i Korridorit 8 për RMV-në për momentin është investim më i leverdishëm nga Korridori rrugor 10. Të dhënat nga numërimi automatik dhe manuel i automjeteve në segmentet rrugore të këtyre dy korridoreve që kalojnë nëpër vendin tonë tregojnë se në rrugët prej Shkupit deri në kufirin maqedonaso-shqiptar ka frekuencë më të madhe të automjeteve se nga Korridori rrugor 10.

Me 29 maj 2023 presidenti i vendit nënshkroi dekretin për pesë ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D,  kjo erdhi pasi Kuvendi me 25 maj 2023 miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve lidhur me realizimin e marrëveshjes “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër sekcioneve të autostradave në këto dy korridore.

Paraprakisht u nënshkrua Aneksi i Vendimit të Komisionit Evropian për mirëkuptim të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat indikative të rrjetit të transportit trans-evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor.

Përndryshe, më 8 mars 2023, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Projekti pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill 2023 në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, njëri nga katër seksionet. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Ndërkaq, më 22 prill 2023 u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Në lidhje me marrëveshjen për ndërtimin e këtyre korridoreve në opinion u ngrit alarmi për dyshime për keqpërodorime. Për këtë, Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka dorëzuar në Prokurorinë e Organizuar për Krim dhe Korrupsion marrëveshjen e ndërtimit dhe mbikëqyrjen për korridoret 8 dhe 10D. Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz, Prokuroria njoftoi se prokurorit dhe hetuesve do t’u nevojitet kohë për analizim dhe kontroll të të gjitha indikacioneve që me muaj janë në interes të opinionit.

Edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka marrë kontratën me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel and Enka” që e ka kërkuar si pjesë e dokumentacionit për lëndën që ka hapur në lidhje me projektin për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 -d dhe tashmë ka formuar ekip prej katër këshilltarësh për analizën e lëndës.