UNShM: Kërkesat plotësisht të justifikuara, por matura shtetërore duhet të zhvillohet brenda afatit të përcaktuar

Unioni i nxënësve të shkollave të mesme ka reaguat përsëri mbi mundësinë e shtyrjes së maturës shtetërore, nga kurikujtojnë se mbajtja e provimit është obligim ligjor dhe prandaj shteti i Maqedonisë është i obliguar ta mbajë atë në afatin e përcaktuar me ligj. Nga atje thonë se e drejta e grevës është sigurisht e garantuar me kushtetutë, por edhe e drejta për arsim është pjesë e Kushtetutës, transmeton Portalb.mk.

“Ligji për arsimin e mesëm e konsideron si detyrë të institucioneve mbajtjen e provimit të maturës në fund të çdo viti shkollor”, thonë nga UNShM.

Ata shtojnë se nëse nuk mbahet matura shtetërore, do të krijohen probleme të mëdha për këtë brez maturantësh që planifikojnë të studiojnë në arsimin e lartë.

“Mosmbajtja e mundshme e provimit të maturës shtetërore do të dëmtojë më së shumti maturantët që planifikojnë të studiojnë jashtë dhe sipas analizave tona ky numër është 12 për qind e çdo gjenerate. Prandaj i kujtojmë publikut angazhimin tonë në muajin mars për përshtatjen e duhur të maturës shtetërore në interes të të gjithë gjimnazistëve dhe përsërisim apelin tonë që të rriturit të mos e vënë në pikëpyetje të ardhmen e këtyre maturantëve”, thuhet në kumtesën e sotme për media nga UNShM.

Unioni njofton maturantët se, sipas informacioneve që disponojnë, provimi i parë ekstern do të mbahet më 27 maj, siç ishte planifikuar.

“Unioni e mirëpret këtë. Apelojmë për arsyeshmëri dhe seriozitet dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që provimin e maturës shtetërore ta zhvillojnë brenda afateve tashmë të përcaktuara”, thuhet në reagim.

Ndryshe, të pasuksesshme janë bisedimet për rritjen e pagave të punonjësve në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QShP), ndërsa greva vazhdon. Ata theksojnë se tashmë është e pamundur të realizohen provimet e maturës shtetërore në përputhje me datat dhe kjo do të thotë zgjatje e kohës në të cilën do të publikohen rezultatet. Emilia Boshkovska, kryetare e Organizatës Sindikale në QShP, thekson se prolongimi nuk do të jetë më i gjatë.

Greva la në paqartësi 15.620 maturantë të cilët nuk e dinë nëse do t’i nënshtrohen në kohë provimit të maturës shtetërore, që është kërkesë ligjore për pranimin në universitet.

Më 27 maj duhej të jepet provimi i parë ekstern – Gjuhë amtare dhe letërsi, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët. Gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.768, gjuhë dhe letërsi shqipe 4.380, gjuhë dhe letërsi turke 357 maturantë.

Ministri Jeton Shaqiri ka kërkuar nga punëtorët që të mos e vënë në dyshim provimin e maturës shtetërore. Ai apeloi që bashkë me drejtoreshën të komunikojnë me institucionet e tjera dhe të presin Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.