Evazion fiskal mbi 23 milionë denarë, Policia Financiare ngriti kallëzim penal

Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër dy personave fizikë – pronarit dhe menaxherit të një personi juridik, një personi të autorizuar, si dhe vetë personit juridik, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Evazion fiskal”, sipas nenit 279 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

I kallëzuari i parë T.P., në cilësinë e personit të autorizuar, në bashkëpunim me të kallëzuarën e dytë Z.P., në cilësinë e pronarit dhe menaxheres së subjektit të tretë juridik, i cili ndodhet në falimentim, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar për të përfituar kundërligjshëm pasuri për vete dhe për subjektin juridik, gjatë viteve 2022 dhe 2023 kanë ndërmarrë veprime përmes të cilave kanë shmangur llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore të përcaktuara me ligj.

Konkretisht, pa mbulim përkatës kanë tërhequr mjete financiare nga llogaria e personit juridik në vlerë prej 8.912.345 denarësh. Gjithashtu, huatë e dhëna personave fizikë, në vlerë të përgjithshme prej 21.742.806 denarësh, nuk i kanë evidentuar si shpenzime të papranuara për qëllime tatimore në bilancet tatimore. Po ashtu, detyrimet e parashkruara në vlerë prej 148.489.312 denarësh nuk i kanë paraqitur si të ardhura në bilancin tatimor të personit juridik për vitin 2023.

Përveç kësaj, në mënyrë të pabazë kanë përvetësuar mallra tregtare të evidentuara në stok, në vlerë prej 14.937.751 denarësh, pa i shlyer detyrimet përkatëse tatimore.

Me këto veprime, të kallëzuarit kanë shmangur llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi vlerën e shtuar, në vlerë të përgjithshme prej 23.252.988 denarësh, duke dëmtuar kështu Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.