RMV, për shkak të grevës së QShP-së matura shtetërore është vënë në pikëpyetje, MASH insiston të mbahet testimi

Vazhdon greva e punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), institucioni i vetëm përgjegjës për organizimin dhe realizimin e provimit të maturës shtetërore. Grevistët e morën këtë vendim pasi dje kishin dështuar negociatat në Qeveri me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe pasi nuk arritën marrëveshje për rritjen e pagave. Greva po vazhdon për të tretën javë, transmeton Portalb.mk.

“Ju, media, maturantët dhe një pjesë e publikut ishit e vetmja mbështetje që kishim në këtë luftë për të ardhura më dinjitoze. Këto tre javë që jemi në grevë, thelbi është se ata që punojnë shumë në këtë vend janë më pak të vlerësuar. Dje na u ofrua të marrim K-15 që na takon sipas ligjit dhe që deri më tani në mënyrë të kundërligjshme po na pengojnë ta marrim. K-15 nuk ishte diçka që ishte subjekt i negociatave. Së dyti, na është ofruar rritje lineare prej 2000 denarë, e cila është dashur të ndodhë automatikisht dhe nuk duhet të jetë pjesë e negociatave”, tha Emilia Boshkovska, këshilltare në Qendrën Shtetërore të Provimeve dhe kryetare e Organizatës sindikale.

Ajo tha se është bërë ribalancim për ngritjet prej 80 për qind të zyrtarëve, por për 30 punëtorët e QShP-së të cilët, siç tha Boshkovska, punojnë shumë dhe kanë përgjegjësi të mëdha, autoritetet nuk mund të gjejnë zgjidhje.

“Entuziazmi i punonjësve është në zero. Çfarë do të ndodhë më pas dhe si do të jetë, nuk do të merrni përgjigje nga ne. Ne do të ndalojmë së bëri deklarata. Ne donim të tregonim se sa e rëndësishme është matura shtetërore, por nuk është e rëndësishme për shtetin. I kemi lutur, kemi kërkuar takim me Qeverinë, por kemi kuptuar se ne më shumë kujdesemi për fëmijët sesa shteti”, tha Boshkovska.

Siç thanë grevistët, me çdo hyrje të një personi të jashtëm në ambientet ku hyrja është e ndaluar, cenohet besueshmëria e maturës.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës insiston që matura shtetërore të mbahet në datat e definuara në Kalendarin e organizimit të vitit shkollor 2022-2023 në shkollat e mesme publike, gjegjësisht provimi i parë ekstern të mbahet më 27 maj dhe e dyta më 10 qershor.

“Ju bëjmë thirrje udhëheqësisë së Qendrës Shtetërore të Provimeve dhe anëtarëve të Këshillit shtetëror të maturës plotësisht të respektohen afatet e përcaktuara, në interes të maturantëve, arsimimi i mëtejshëm apo përfshirja e të cilëve në tregun e punës varet nga ky proces, si akt të formalizimit të arsimit të mesëm dhe marrjes së diplomës. Shprehim mirëkuptimin e plotë dhe japim mbështetjen e punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve për tejkalimin e sfidës me të cilën po përballen. E drejta e organizimit sindikal për realizimin e të drejtës është e pakontestueshme, por megjithatë nuk duhet të jetë në dëm të nxënësve, të cilët duhet të konsultohen për çdo propozim të ri në lidhje me dhënien e maturës shtetërore”, thonë nga MASH.

Dialogu ndërmjet QSHP-së dhe Ministrisë së Financave duhet të vazhdojë deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare, njëkohësisht e domosdoshme është që të vazhdojnë edhe proceset që janë në interes të maturantëve.

Para se të mbahet konferenca e sotme për media e grevistëve të QShP, Meta.mk ka biseduar me ministrin e Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Ai këmbëngul se datat e parashikuara nga kalendari për provimet e maturës nuk duhet të prolongohen.

“Data për provimin e parë ekstern duhet të jetë më 27 maj. Unë insistoj të shkohet me këto data. Nëse ka nevojë që të punësohen më shumë njerëz që të punojnë në përgatitjet dhe organizimin e maturës shtetërore, ne si Ministri e Arsimit jemi në dispozicion”, tha ministri në një deklaratë për Meta.mk.

Maturantët tashmë po përgatiten për provimin e parë

Mitko Dimovski, drejtori i gjimnazit “Orce Nikolov”, ka vlerësuar për Meta.mk se greva mund të ketë pasoja edhe për maturantët edhe për shkollat.

“Provimet e maturës shtetërore janë caktuar në datat 27.5.2023 dhe 10.6.2023. Nëse provimi i parë prolongohet, do të thotë se afati i ardhshëm do të jetë 3.6.2023, pra do të kenë një javë kohë ndërmjet provimeve, por nëse dy datat zhvendosen fare dhe nuk gjendet zgjidhje gjatë kësaj periudhe, atëherë tashmë përkon me provimet interne për maturantët në shkollat ​​amë, të cilat duhet të mbahen nga data 13 deri më 30.6.2023, si dhe me regjistrimet në shkollat ​​e mesme, të cilat janë caktuar për datat 20 dhe 21 qershor. E gjithë kjo do të rezultojë në informim të vonuar për rezultatet e provimit të maturës shtetërore, gjë që do t’u krijojë kokëdhimbje atyre nxënësve që planifikojnë të konkurrojnë në universitetet jashtë vendit”, paralajmëron Dimovski.

Kurse drejtori i gjimnazit “Nikola Karev”, Andrei Manolev, thotë për Meta.mk se profesorët dhe maturantët mbajnë orë përgatitore për maturën.

“Po sillemi dhe po përgatitemi për provimin sikur do të ndodhë më 27 maj. Ne as që mendojmë për vonesë. Profesorët e gjuhës maqedonase mbajnë orë përgatitore, maturantët po përgatiten për provimet e ardhshme”, tha Manolev.