LSDM thotë se ka vonesa në pagat në institucionet shtetërore, EMV reagoi: pagat do të jepen brenda afatit ligjor
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon se ka vonesa në pagesën e pagave në institucionet shtetërore, përfshirë edhe në kompaninë më të madhe energjetike, EMV, transmeton Portalb.mk.
Nga opozita thonë se punonjësit zakonisht i kanë marrë pagat deri më datën 5 të muajit, por këtë herë nuk ka ndodhur kështu.
“Sipas informacioneve, punonjësit e EMV-së kanë marrë edhe mesazhe SMS se ende nuk dihet saktësisht se kur do të paguhet paga e muajit tetor dhe se duhet të kenë durim”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga atje shtojnë se kanë mbërritur edhe reagime nga komunat, sipas të cilave ato nuk mund të realizojnë pagesa përmes Thesarit.
“Çfarë po ndodh? A e kanë zbrazur aq shumë arkën e shtetit Mickoski dhe VMRO-ja e tij, saqë tashmë nuk mund të përmbushen as detyrimet e rregullta?”, pyesin nga LSDM-ja.
Por nga kompania EMV kanë përgënjeshtruar këto informacione, duke thënë se, përshtatjet aktuale administrative në sistemin e kompanisë për pagesën e të ardhurave personale janë pasojë e kërkesave të njëkohshme nga më shumë se 140 punonjës për përditësimin dhe ndryshimin e të dhënave të tyre personale. Kjo, sipas tyre, ka imponuar nevojën për kohë shtesë për përpunimin dhe verifikimin teknik të tyre deri më 06.11., me qëllim që të sigurohet shpërndarje e saktë dhe e sigurt e mjeteve financiare.
“Kompania dënon ashpër përpjekjet e partive të caktuara politike për sabotimin e sektorit energjetik, përkatësisht përmes përdorimit tendencioz dhe hipokrit të përshtatjeve të jashtëzakonshme administrative, me qëllim krijimin e një narrative të rreme dhe shkaktimin e shqetësimit te punonjësit. Në lidhje me pagat dhe kompensimet për të punësuarit, dëshirojmë të rikujtojmë se ka filluar procesi i rritjes së pagave në SHA EMV, në përputhje me Marrëveshjen Kolektive të nënshkruar së fundmi me sindikatat përfaqësuese”, thuhet në reagim.
Nga kompania kanë shtuar se, paga për të punësuarit do të paguhet brenda afatit ligjor.