Këshilli Gjyqësor e zgjodhi Subhi Jakupin kryetar të Gjykatës Administrative

Gjykatësi në Gjykatën e Lartë Administrative, Subhi Jakupi, është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës Administrative në seancën e sotme të Këshillit Gjyqësor. Gjatë diskutimit, disa anëtarë të Këshillit vlerësuan aftësitë e tij drejtuese, përvojën e fituar në Gjykatën e Lartë Administrative dhe cilësinë e programit që kishte prezantuar, transmeton Portalb.mk.

Isamedin Limani vlerësoi se Jakupi do ta drejtojë mirë gjykatën, ndërsa Ivica Stefanovski si argument përmendi edhe përfaqësimin e drejtë. Danka Ristova theksoi se programi i tij dallohet nga programet e kandidatëve të tjerë dhe se në të vërehet kontributi i Jakupit në themelimin e gjyqësisë administrative, duke identifikuar qartë edhe dobësitë e sistemit.

Mbështetje për zgjedhjen e tij shprehën edhe Sadulla Izairi, i cili iu referua programit, cilësive personale dhe përvojës së mëparshme të kandidatit, si dhe Xheneta Begtoviq, e cila theksoi se Jakupi ka qenë zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë Administrative dhe në këtë mënyrë ka fituar përvojë të konsiderueshme në drejtimin e një institucioni gjyqësor.

Arlinda Kadri-Shahinoviq iu bashkua vlerësimeve pozitive për kandidatin, ndërsa Tanja Çaçarova-Ilievska theksoi se përvoja shtatëvjeçare në Gjykatën e Lartë Administrative është e mjaftueshme që ai t’i njohë rrethanat dhe problemet në gjyqësinë administrative. Mbështetje shprehën edhe Ariton Alla, i cili e përgëzoi për zgjedhjen, si dhe Vllado Kambovski, i cili vlerësoi se Jakupi kishte ofruar programin më të mirë.

Kundër zgjedhjes së tij u deklarua Suzana Joshevska, sipas së cilës Jakupi është kandidati me përvojën më të shkurtër gjyqësore në mesin e aplikuesve dhe i vetmi që nuk ka përvojë si gjykatës në gjykatën të cilën duhet ta drejtojë. Ajo vlerësoi gjithashtu se programi i tij përmban qëllime, por ato nuk janë elaboruar mjaftueshëm.

Për postin e kryetarit të Gjykatës Administrative kishin aplikuar pesë kandidatë. Aplikimet e Subhi Jakupit, Gazmend Fejzullit, Edita Naskovës dhe Gjoko Zhivkovskit ishin dorëzuar në afat dhe ishin të kompletuara, ndërsa aplikimi i Lulzim Saliut ishte refuzuar si i pakompletuar.