Rezultatet për maturën shtetërore do të vonohen, QShP: Nëse jemi të parëndësishëm, pse duhet të punojmë 20 orë në ditë

Të pasuksesshme janë bisedimet për rritjen e pagave të punonjësve në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QShP), ndërsa greva vazhdon. Ata theksojnë se tashmë është e pamundur të realizohen provimet e maturës shtetërore në përputhje me datat dhe kjo do të thotë zgjatje e kohës në të cilën do të publikohen rezultatet. Emilia Boshkovska, kryetare e Organizatës Sindikale në QShP, thekson se prolongimi nuk do të jetë më i gjatë, transmeton Portalb.mk.

“Kishim dy takime të pasuksesshme. I fundit ishte me ministrin e Arsimit, në prani të një personi nga Ministria e Financave. Nuk morëm asgjë të re në atë takim. Propozimi i Ministrisë së Financave është rritje prej gati 1000 denarë dhe se këto janë vijat e kuqe të tyre. Rreth 300.000 denarë nga buxheti ynë janë të rezervuara për pagat e zyrtarëve. Për këtë, pasi kanë kaluar afatet, llogaritjet janë se tashmë është e pamundur të arrihen datat e kalendarit të maturës shtetërore. 27 maji nuk është aspak i realizueshëm. Kërkojmë ndryshim të datave të provimit të maturës shtetërore. Do të thotë gjithashtu zgjatje e rezultateve. Kërkojmë nga ministri të shohë se cilat janë opsionet për maturën shtetërore”, thotë Boshkovska.

Ajo thekson se ka punonjës që në vend të grevës kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre, por pjesa më e madhe ende nuk punojnë deri në ngritjen e pagave.

“Shpresoj që ky prolongim të mos jetë më i gjatë. Ka mosmarrëveshje, por ne jemi ende të bashkuar. Shumica e punonjësve janë ende në grevë. Jemi gati të punojmë 24 orë për të realizuar aktivitetet për maturën shtetërore, por është çështje minutash, jo ditësh. Deri të premten, nëse greva do të ndalej, ishte e mundur të realizohej. Nëse shteti mendon se ne nuk jemi të rëndësishëm, pse duhet të bëjmë sakrifica dhe të punojmë 20 orë në ditë”, shton ajo.

Greva e Qendrës Shtetërore të Provimeve hyn në javën e tretë. Ata më 24 prill njoftuan se 11 nga gjithsej 29 punëtorë, të cilët janë në pozita të ndryshme, janë të barabartë dhe marrin pagë minimale prej 20.000 denarë. Organizata sindikale e Qendrës Shtetërore të Provimeve ka njoftuar se do të jenë në grevë deri në marrjen e pëlqimit të Ministrisë së Financave për rritjen e pagave.

Greva la në paqartësi 15.620 maturantë të cilët nuk e dinë nëse do t’i nënshtrohen në kohë provimit të maturës shtetërore, që është kërkesë ligjore për pranimin në universitet.

Më 27 maj do të jepet provimi i parë ekstern – Gjuhë amtare dhe letërsi, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët. Gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.768, gjuhë dhe letërsi shqipe 4.380, gjuhë dhe letërsi turke 357 maturantë.

Testimi i provimit të dytë ekstern është caktuar për datën 10 qershor. Është fakultative dhe maturantët patën mundësinë të zgjedhin nga shtatë lëndë. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe rreth 1.700 testues do të përfshihen në zbatimin e provimit të maturës shtetërore. Nëse sesioni i qershorit realizohet (në kohë), maturantët të cilët nuk do ta kalojnë provimin e maturës ose jo plotësisht, do të mund ta japin provimin në sesionit e  gushtit– më 9 dhe 11 gusht.

Ministri Jeton Shaqiri ka kërkuar nga punëtorët që të mos e vënë në dyshim provimin e maturës shtetërore. Ai apeloi që bashkë me drejtoreshën të komunikojnë me institucionet e tjera dhe të presin Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.