Filloi Forumi i Paqes në Paris, me fokus të veçantë te të drejtat e fëmijëve

Edicioni i nëntë i Forumit të Paqes në Paris filloi sot, më 10 nëntor, në Pallatin Chaillot në Paris, në vendin ku në vitin 1948 u miratua Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut. Për takimin dyditor, të paralajmëruar me moton “Bashkimi i forcave për atë që ka më shumë rëndësi”, organizatorët kanë paraparë 80 sesione me më shumë se 350 folës. Në program janë diskutimet për ndërmjetësimin në konflikte, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, inteligjencën artificiale dhe ndryshimet klimatike, transmeton Portalb.mk.

Një nga ngjarjet kryesore është Samiti për Fëmijët, në të cilin dje u prezantua deklarata “Fëmijët të parët”. Deklarata është nënshkruar nga më shumë se 50 shtete, në mesin e të cilave edhe Maqedonia e Veriut. Nënshkruesit zotohen t’i intensifikojnë përpjekjet për shëndetësi, ushqim, arsim dhe mbrojtje më të mirë të fëmijëve, si dhe për mirëqenien e tyre psikosociale në epokën digjitale, me synimin që deri në vitin 2045 të arrihen rezultate të matshme.

Në mesin e folësve ishin presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell.

Nga rajoni, si folës në sesione të ndryshme gjatë ditës së parë morën pjesë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, si dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti. Siljanovska-Davkova mori pjesë në panel-diskutimin “Mbrojtja e vijës së frontit: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”.

Në “Hapësirën e zgjidhjeve”, pjesën ekspozuese të Forumit të Paqes në Paris, këtë vit prezantohen 40 projekte të përzgjedhura rishtazi nga e gjithë bota. Ato ofrojnë zgjidhje praktike për çështje si mbrojtja e mjedisit, shëndeti dhe ushqimi i fëmijëve, qasja në informacione të besueshme dhe sigurimi i shërbimeve bazë në zonat e prekura nga konfliktet. Ekspozita u mundëson ekipeve t’i prezantojnë zgjidhjet e tyre dhe të takohen me ekspertë, partnerë potencialë dhe financues.

Hapësira për zgjidhje në Forumin e Paqes në Paris 2026. Foto: Meta.mk.
Hapësira për zgjidhje në Forumin e Paqes në Paris 2026. Foto: Meta.mk.

Nga projektet e përzgjedhura, dhjetë do të përfshihen në ciklin e ardhshëm të programit Scale-up (SCUP). Programi, i nisur në vitin 2018, ofron mbështetje njëvjeçare përmes mentorimit, të përshtatur sipas nevojave të secilit ekip. Kjo mund të përfshijë ndihmë për zhvillimin organizativ, krijimin e partneriteteve ose qasjen në burime financimi. Qëllimi është që projektet ta zgjerojnë shtrirjen e tyre ose ta zbatojnë zgjidhjen e ofruar edhe në mjedise të tjera.

Në Forumin e këtij viti merr pjesë sërish Fondacioni “Metamorfozis” nga Maqedonia e Veriut, si pjesë e gjeneratës 2025–2026 të programit SCUP. Në stendën e tij, fondacioni prezanton versionin e avancuar të sistemit “Dezinfo Radar”, një nismë rajonale për paralajmërimin e hershëm të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor, si një nga dhjetë projektet e përzgjedhura për këtë cikël.

Prezantimi i sistemit rajonal "Disinfo Radar" nga Fondacioni "Metamorphosis" në Hapësirën e Zgjidhjeve të Forumit të Paqes në Paris. Foto: Meta.mk
Prezantimi i sistemit rajonal “Disinfo Radar” nga Fondacioni “Metamorphosis” në Hapësirën e Zgjidhjeve të Forumit të Paqes në Paris. Foto: Meta.mk

Sot, në ditën e dytë të Forumit, Filip Stojanovski, drejtor për partneritete dhe zhvillim të burimeve në Fondacionin “Metamorfozis“, do të flasë në panelin “A mund të ecin përpjekjet për mbrojtjen e integritetit të informacionit në hap me dezinformatat?”. Paneli është pjesë e programit të ditës së dytë.

Një pjesë e sesioneve do të transmetohen drejtpërdrejt përmes kanaleve zyrtare të Forumit të Paqes në Paris në YouTube dhe LinkedIn.