RMV, Prokuroria me tri aktakuza dhe paraburgim ndaj personit i cili e rrahu 26 vjeçaren

Ndaj personit i cili ka rrahur Sarën 26 vjeçare, Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka ngritur kallëzim penal për tri lloje të veprës penale, raporton Portalb.mk.

“Prokuroria Themelore Publike në Ohër menjëherë ndërmori të gjitha veprimet dhe ngriti aktakuzë kundër një personi në Gjykatën Themelore në Ohër për tre vepra penale – Lëndim Trupor, Privim i Paligjshëm i Lirisë dhe Rrezikim i Sigurisë”, njoftojnë nga Prokuroria, duke kërkuar paraburgim për të pandehurin.

Prokuroria theksoi se i akuzuari kundërligjshëm ka arrestuar, sulmuar, lënduar fizikisht dhe e ka rrezikuar sigurinë e viktimës, pasi te e lënduara është kryer ekspertizë rreth lëndimeve.

Këtë rast të dhunës e kanë dënuar shoqatat qytetare të cilat merren me të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

K.K. nga Ohri, i cili rrahu Sarën 26-vjeçare dhe e hodhi nga makina në rrugë, por u la në liri me masa kujdesi, është privuar sërish nga liria.