Përshkallëzim tensionesh në Lindjen e Mesme, Bahreini zmbrapsi sulmet iraniane, SHBA goditi sërish Iranin

Tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, pasi një valë e re sulmesh u regjistrua në orët e para të së mërkurës, më 18 nëntor, transmeton Top Channel.

Bahreini njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore kishin zmbrapsur sulme iraniane, ndërsa në Kuvajt u aktivizuan sistemet kundërajrore për të përballuar sulmet me dronë.

Paralelisht me zhvillimet në Gjirin Persik, Shtetet e Bashkuara kryen një tjetër sulm ajror në territorin iranian, duke goditur një strukturë për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm. Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, operacioni ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër personelit dhe instalimeve ushtarake amerikane në rajon.

Bahreini zmbraps sulmet iraniane

Forcat e armatosura të Bahreinit njoftuan në orët e para të së mërkurës se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin ndërhyrë për të neutralizuar një seri sulmesh ajrore që i atribuohet Iranit.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve BNA, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes bëri të ditur se ishin zmbrapsur disa sulme ajrore iraniane.

Megjithatë, autoritetet nuk dhanë detaje mbi numrin e objektivave të përfshira apo zonat që ishin vënë në shënjestër.

Bahreini konsiderohet një pikë strategjike në rajon, pasi në territorin e tij ndodhet edhe selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane.

Kuvajti aktivizon mbrojtjen kundërajrore

Situata e sigurisë u tensionua edhe në Kuvajt, ku ushtria njoftoi aktivizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për t’iu kundërvënë dronëve të cilësuar si armiqësorë.

Në një njoftim të publikuar në platformën X, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes sqaroi se shpërthimet e dëgjuara në disa zona ishin shkaktuar nga ndërhyrja e sistemeve kundërajrore, të cilat kishin kapur objektivat në ajër.

Deri në momentin e raportimit, autoritetet nuk kishin konfirmuar origjinën e dronëve dhe as nuk kishin dhënë informacion për dëme materiale apo viktima të mundshme.

SHBA godet një strukturë raketore në ishullin Qeshm

Ndërkohë, ushtria amerikane ndërmori një tjetër operacion ajror kundër Iranit, duke shënjestruar një strukturë për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit.

Lajmi u konfirmua nga një zyrtar ushtarak amerikan për agjencinë Reuters, i cili foli në kushte anonimiteti. Sipas tij, një avion luftarak amerikan kreu goditjen në shenjë hakmarrjeje për sulmet iraniane ndaj forcave dhe objekteve ushtarake amerikane në rajon.

Nga ana tjetër, agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se sulmi nuk kishte shkaktuar dëme në zonat e banuara apo në infrastrukturën e ishullit.

Zhvillimet e fundit tregojnë se përplasjet ushtarake në Gjirin Persik vijojnë, ndërsa përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve nuk kanë arritur ende të ndalin shkëmbimin e sulmeve mes palëve.