Projektligji i ri për automjetet në RMV, gjobë prej 100 eurosh nëse keni ndryshuar numrin dhe nuk e lajmëroni
Pronarët e automjeteve do të kenë një detyrim të ri nëse miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Automjetet. Kushdo që e ndryshon numrin e telefonit celular ose adresën e postës elektronike do të duhet ta paraqesë ndryshimin më së voni brenda tri ditësh. Në të kundërtën, parashihet gjobë prej 100 eurosh në kundërvlerë me denarë, raporton Racin, transmeton Portalb.mk.
Kjo dispozitë është pjesë e ndryshimeve të propozuara ligjore, me të cilat parashihet vendosja e ngjitëseve elektronike për automjetet dhe zgjerimi i mundësisë për kontroll elektronik të statusit të tyre.
Ndryshe nga regjistrimi, sigurimi dhe kontrolli teknik, të cilat lidhen drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e automjetit në komunikacion, detyrimi i ri ka të bëjë me të dhënat e kontaktit të pronarit të tij.
Tre ditë afat për paraqitjen e ndryshimit, 100 euro gjobë për mosrespektimin e afatit
Sipas ndryshimeve të propozuara, pronari i automjetit do të jetë i detyruar që çdo ndryshim të numrit të telefonit celular ose të adresës elektronike ta paraqesë te një person juridik i autorizuar për kontroll teknik.
Afati për këtë procedurë është më së shumti tri ditë nga momenti i ndryshimit.
Nëse nuk e përmbush këtë detyrim, pronari rrezikon gjobë prej 100 eurosh.
Kjo do të thotë se ndryshimi i numrit të telefonit, i cili deri më tani për shumë njerëz ka qenë një veprim i zakonshëm i përditshëm, me propozimin e ri do të sjellë edhe detyrim ligjor për përditësimin e të dhënave që lidhen me automjetin.
Pse numri i telefonit bëhet pjesë e kontrollit të automjeteve?
Ndryshimet janë pjesë e vendosjes më të gjerë të evidencave elektronike, përmes të cilave institucionet kompetente do të mund ta kontrollojnë statusin e automjeteve.
Parashihet që çdo automjet të ketë një ngjitëse me regjistrim elektronik, të lidhur me të dhënat në regjistër.
Përmes këtij sistemi, policia do të mund të kontrollojë nëse automjeti ka regjistrim dhe sigurim të vlefshëm, nëse është teknikisht në rregull dhe cilës kategori ekologjike i përket.
Të dhënat e kontaktit të pronarëve janë pjesë e evidencës administrative, e cila duhet të përditësohet rregullisht.
Megjithatë, propozimi i ri hap pyetjen nëse afati prej tri ditësh është i mjaftueshëm dhe nëse gjoba prej 100 eurosh është proporcionale për mosparaqitjen e ndryshimit të numrit të telefonit ose adresës elektronike.
Qytetarët do të duhet të shkojnë në stacionet e kontrollit teknik
Veçanërisht i rëndësishëm është mënyra se si duhet të paraqiten ndryshimet.
Sipas propozimit, përditësimi i të dhënave bëhet te një person juridik i autorizuar për kontroll teknik.
Kjo nënkupton se pronarët do të duhet ta kryejnë procedurën përmes një stacioni të tillë, në vend që vetëm t’i ndryshojnë të dhënat e kontaktit në profilet e tyre personale elektronike.
Nga informacionet e publikuara nuk është e qartë nëse do të mundësohet edhe procedurë tërësisht elektronike, pa pasur nevojë për vizitë fizike.
Kjo çështje është e rëndësishme veçanërisht për qytetarët që jetojnë në vendbanime më të vogla ose kanë mundësi të kufizuara për t’i kryer shpejt obligimet administrative.
Digjitalizim me detyrime të reja për pronarët e automjeteve
Ndryshimet e propozuara parashohin edhe gjobë prej 500 eurosh për heqjen, dëmtimin, ndryshimin ose transferimin e ngjitëses elektronike në një automjet tjetër.
Ngjitëset do të kenë pamje të njëjtë, ndërsa kategoria ekologjike dhe të dhënat e tjera do të ruhen në regjistrin elektronik.
Në këtë mënyrë, institucionet kompetente pritet të kenë një mekanizëm më efikas për kontroll.
Por, në të njëjtën kohë, digjitalizimi sjell edhe detyrime të reja për qytetarët, përfshirë nevojën për përditësimin e rregullt të të dhënave të tyre të kontaktit.
Pyetja kryesore është nëse sistemi i ri do t’i thjeshtojë procedurat administrative apo, përveç kontrollit elektronik, do të sjellë edhe detyrime shtesë për pronarët e automjeteve.
Ndryshimet për momentin janë në procedurë kuvendore. Afatet dhe gjobat e parapara nuk duhet të trajtohen si detyrime të reja tashmë të zbatueshme, derisa zgjidhjet ligjore të miratohen dhe të fillojë zbatimi i tyre.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) planifikon të vendosë kamera për matjen e shpejtësisë në automjetet policore, të cilat do të mund t’i zbulojnë kundërvajtjet në trafik edhe gjatë lëvizjes. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se, përveç kamerave fikse, policia do të përdorë edhe pajisje mobile, të cilat do të vendosen në lokacione të ndryshme, veçanërisht në pikat kritike të trafikut.