Si përfunduan inçizimet e kamerave të sigurisë të rastit të Vanjës dhe Pançes së vrarë, te simpatizanti i Putinit në Serbi, politikanit Srgjan Nogo?

Publiku është dëshmitar i një tentative të re për të nxjerrë “informacione” për vrasjen tragjike të Vanjës dhe Pançes nga Velesi, të cilët, duke ndjekur një trajektore të përbashkët, fillimisht arrijnë në Beograd, e më pas liferojnë në audiencën maqedonase. Tashmë rolin e “lajmëtarit” e merr politikani kontrovers serb Sërgjan Nogo, transmeton Portalb.mk.

Për dy ditë aii publikoi foto ku shihet mjeti me të cilin është kryer rrëmbimi. Në të parën, të cilën ai e publikoi dje në profilet e tij në rrjetet sociale, tregon automjetin Citroen në një pompë benzine me dy persona në sediljet e shoferit dhe të pasagjerit. Në video nuk ka asnjë datë dhe sipas supozimeve të tij, mjeti drejtohet nga Pançe, që do të thotë se është marrë para se të vritej dhe “Citroeni” e tij është përdorur për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanjës.

Fotoja e dytë, me gjasë nga ndonjë kamerë sigurie përpara ndërtesës ku jetonte vajza, sipas Nogo, është marrë në të njëjtin mëngjes kur Vanja u takua nga rrëmbyesit dhe u dërgua në Brazda. Edhe pse çdo foto mund të ngatërrohet me teknologjinë moderne, printimi në të tregon 27 nëntor, ora 7:34 e mëngjesit. Nogo bën të ditur se nesër në kanalet e tij në rrjetet sociale do të publikojë të gjitha regjistrimet që disponon, si dhe detaje se kush dhe si e zbardhi rastin e vrasjes së dyfishtë.

“Eksluzivisht po publikoj pamjet e rrëmbimit të Vanja Gjorçevskës nga 27 nëntori në ora 7:29, si dhe të gjitha pamjet e tjera të rrëmbyesit të regjistruara nga kamerat. Dhe ekskluzivisht po publikoj videon e ‘rrëmbimit’ të parukierit nga Velesi, Pançe Zhezovskit. Do të mësoni se si ka shkuar hetimi dhe kush i ka zbardhur në të vërtetë dy rastet, me ta ka lidhur Ljupço Palevskin – Palço dhe ka siguruar prova për arrestimin e Vlatko Keshishov, Velibor Manev dhe Bore Videvskit nga Velesi. Prisni ekskluzive të premten 5.1. në orën 16:00”, shkruan Nogo në postim.

Nëse bëhet fjalë për incizime dhe regjistrime nga hetimi, si ka mundësi që i kanë rënë “në dorë” këtij politikani serb? Nuk është hera e parë, por është dukuri e shpeshtë që zyrtarë apo gazetarë serbë marrin materiale të tilla që synojnë të tronditin opinionin maqedonas. Sidomos për këtë rast, për të cilin është evidente se nën titullin “ekskluzive”, pjesa më e madhe e spekulimeve, gjysmëinformacioneve dhe dyshimeve lidhur me hetimin vinin dhe vijnë nga “mediat” e fqinjit verior.

Një pyetje që shtrohet hapur është nëse ky rast është një tjetër dëshmi se institucionet dhe shërbimet maqedonase janë “thyer” në shumë linja me lidhjet serbe dhe nëse përmes përmbajtjeve të tilla dikush tenton të ndikojë në opinion dhe të rrisë mosbesimin e qytetarëve në institucionet e vendit, e cila gjithsesi është e madhe.

Duke pasur parasysh se Sërgjan Nogo është një nga eksponentët e interesave ruse në Ballkan dhe simpatizant i madh i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe një teoricien konspirativ jashtëzakonisht me ndikim, dyshimet se ky rast po luhet edhe në prapaskenë.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike Shkup lidhur me rastin, për “360 Stepeni” ka thënë se janë siguruar të gjitha provat e nevojshme për të përcaktuar trajektoren e lëvizjes së të dyshuarit, dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i komprometimit të hetimeve për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit me publikimin e pamjeve të objekteve.

“Prokuroria Publike ka siguruar të gjitha provat e nevojshme për të përcaktuar trajektoren e lëvizjes së të dyshuarit. Për këto arsye, nuk ekziston rreziku i komprometimit të hetimeve duke publikuar pamjet e kamerave vëzhguese të objekteve. Megjithatë, personat që publikojnë këto video duhet të mendojnë për etikën e publikimeve të tilla dhe shqetësimin që ato shkaktojnë në familjet e viktimave”, thuhet në Prokurori.

Ndryshe, Sërgjan Nogo, siç shkruhet në biografinë e publikuar në faqen e tij, është një nga themeluesit dhe udhëheqësit, fillimisht i lëvizjes, e më pas i partisë Dveri në Serbi. Ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Serbisë në zgjedhjet e vitit 2016 për të qëndruar deri në vitin 2020. Në vitin 2019 është përjashtuar nga partia dhe deri në fund të mandatit ka vepruar si deputet i pavarur. Ai konsiderohet si promotor i teorive konspirative dhe një eksponent i interesave ruse në rajon.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u  gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua 40 ditë paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.