Librat që Shtëpia Botuese “Syth” i publikoi në vitin 2023 dhe që mund t’i shtojmë në listën e leximit të vitit 2024

Portalbi ka planifikuar të sjellë për ju botimet e shtëpive botuese të Maqedonisë së Veriut të cilat tashmë duhet edhe t’i gjeni në libraritë e Tetovës. Përditësojuni me botën letrare, pavarësisht shijeve tuaja. Sot ju sjellim botimet e Shtëpisë Botuese “Syth” nga Tetova.

Shtëpitë botuese secilin vit realizojnë planifikimet e tyre vjetore, libra të cilët dalin në dritë, por që ne nuk u kushtojmë vëmendje. Të botosh një libër, nuk është punë e lehtë e aq më pak të drejtosh një shtëpi botuese. Ndaj, kujdesin më të vogël me të cilin ne mund t’i shpërblejmë shtëpitë botuese është, që tu kushtojmë pakëz vëmendje se çka kanë botuar, ç ‘thonë ato libra, ose të tjerët për to. Kështu, mbase dhe më lehtë arrijmë të pasurohemi me dije të reja dhe të pasurojmë dhe raftet tona, duke i kërkuar në libraritë e qytetit.

Shtëpia Botuese “Syth” për sivjet ka botuar këto tituj si më poshtë.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Poezia shqipe e Maqedonisë së Veriut – Vjollcë Berisha

“Nisur nga fakti i mungesës së studimeve sistematike mbi letërsinë e shqiptarëve të Maqedonisë, i cili do t’i përfshinte të gjitha tiparet dhe shfaqjet e saj, një punim i këtillë, që në qendër e ka mu këtë krijimtari, është tejet i mirëpritur, gjithnjë në kuptimin e prurjeve specifike për të. Mënjanë konceptin që kemi për letërsitë kombëtare, për në thelb homogjenitetin e tyre dhe paarsyeshmërinë për ta ndarë e studiuar copë-copë, konsiderojmë se janë të nevojshme vështrimet e veçanta që i qasen kësaj pjese të letërsisë kombëtare qoftë në planin diakronik e qoftë në atë sinkronik, madje një ndihmesë e konsiderueshme janë edhe monografitë mbi vepra e autorë, bibliografitë për botimet, antologjitë poetike, krestomacitë e ndryshme që i përfshijnë krijuesit e Maqedonisë, madje edhe vepra me karakter historik e kulturor që flasin për rrethanat në të cilat u zhvillua letërsia e kësaj ane, si dhe ato që trajtojnë moskomunikimin e gjatë ndërkulturor (për arsye që dihen) bashkë me ndikimin që ka pasur në letërsi ky moskomunikim”, thuhet në hyrjen e librit.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Prill në dhjetor, Vjollcë Berisha , Xhemazije Rizvani

“Përgjatë 11 vjetësh vetëm një vit nuk u organizua mbrëmja, në vitin lëngatë të pandemisë “Kovid”, pas të cilit vit qemë më të përvuajtur, më apoetikë, më të varfër shpirtërisht. Kishim humbur sa e sa njerëz të dashur dhe më s’ishim të njëjtët. S’ishte e njëjtë as poezia. Në vitin pasues tonet ishin të zymta dhe poezia e dashurisë tingëllonte e trishtë. Kjo përmbledhje poezish nuk është përzgjedhja e 10 viteve, as koleksioni i plotë i recitalit të fundvitit “Prill në dhjetor”, është zgjedhje e vogël, si të thuash përzgjedhje e përzgjedhjes. Pa pretenduar se në të janë më të bukurat vjersha që janë lexuar në mbrëmjet letrare, mund të themi se janë ato më të shpeshtat, ato më të përsëriturat, ato që në një farë mënyre janë bërë klasike për autoret e kësaj përzgjedhjeje. Koleksionin e plotë të recitalit mund ta sjellim në ndonjë vit tjetër jubilar, ku do të jetë farkëtuar mbase energjia dhe bukuria e kremtes së më tepër viteve, kur ndoshta të gjithë ne që e bënim këtë mbrëmje do të jemi më të vjetër dhe do ta kemi mbështjellë mirë poezinë diku thellë në zemrat tona për të mos u prekur nga mosha’’, thuhet në parathënien e librit të Vjollcë Berishës.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

“TRANSATLANTIZMI’’ – Bërthama e sigurisë globale” – Albulena Halili

“Marrëdhëniet transatlantike u referohen marrëdhënieve historike, politike, ekonomike, ushtarake dhe strategjike midis shteteve, që gjenden në skajet e Atlantikut: të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (shteteve të) Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë.

Transatlantizmi paraqet doktrinën që përfaqëson këto marrëdhënie, doktrinë kjo e institucionalizuar brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Megjithatë është i theksuar vakuumi teorik lidhur me përdorimin dhe përkufizimin e këtij termi, i cili është termi më i përshtatshëm për të emërtuar doktrinën institucionale që mban të lidhur aleatët transatlantikë, përmes marrëdhënieve transatlantike që ata zhvillojnë me njëri-tjetrin.

Ky libër është shkruar rreth tezës bosht se transatlantizmi përbën doktrinën e bërthamës globale në shekullin XXI. Togfjalëshin “bërthamë globale” e hasim në literaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare në veprën e Zbignew Brzezinski-t, ku ai shprehet se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian së bashku përfaqësojnë bërthamën e stabilitetit global politik dhe të mirëqenies ekonomike”, thuhet në hyrjen e librit të Albulena Halili.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Mpiksja e dritës  – poezi, Ibrahim Veliu

Ky vëllim mund të lexohet edhe si një album me imazhe të zgjedhura nga e kaluara, me ato më të

bukurat që denjojnë të shpalosen edhe para një audience më të gjerë, edhe para lexuesit të së ardhmes.

Ndoshta kjo është arsyeja që poeti, për dallim nga vëllimet e tjera me poezi, ku sado që ka dominuar atmosfera e fshatit, përmes temave, figurave e leksikut të zgjedhur nga ai areal, prapëseprapë ka qenë i kursyer në përshkrimin e detajeve, këtu, në këtë vëllim, më lirshëm, gati me këmbëngulje, me një poetikë të arrirë, shpërfaq mendimet dhe ndjenjat që e lidhin me objekte konkrete të fshatit, me pjesë të natyrës, shtëpinë nga brenda dhe jashtë, duke e lejuar veten me dashje të shkasë edhe në përshkrime të përimtësuara, por jo në dëm të lirikës. Leksiku i poetit në këtë vepër është në shërbim të krijimit të atmosferës poetike të gjërave e situatave që shënjon, prandaj jo rrallë ndeshim fjalë të arealit gjuhësor sharrian, thuhet në parathënie të librit.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Tezja Natyrë – përzgjedhje vjershash nga Flutur Fetai

“T’u japësh fëmijëve letërsi të keqe është po aq e dëmshme sa t’i bësh të pinë barëra me afat të skaduar, apo nga ato me doza të tepruara, që mund të jenë edhe fatale.

Ata që servojnë (autorët, botuesit, mësuesit, prindërit) duhet ta dinë se rrugën për te letërsia e mirë, për te shprehia e leximit, e hapin vetëm rekomandimet e drejta (të përshtatshme për moshën, shijet dhe interesimet e nxënësve).

“Tezja natyrë” është një botë magjike vjershash, ku së pari joshin të futesh ngjyrat e ëmbla të kreativitetit të së talentuarës Edona, e cila i ka ilustruar këto krijime që ia shtojnë laryshinë imagjinatës së fëmijëve, ua begatojnë atyre fjalorin dhe i prijnë drejt rrugës së letërsisë, duke i bërë pjesë të komunitetit të atyre që lexojnë dhe formohen ndryshe nën efektet e dobishme të leximit”.