Autoritetet turke kanë caktuar 40 ditë paraburgim ekstradues për Lupço Palevskin

Ministria e Drejtësisë njoftoi dje se autoritetet turke i kanë caktuar 40 paraburgim ekstradues Lupço Palevskit. Ai është i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, transmeton Portalb.mk.

Pesë të dyshuar të tjerë, lidhur me vrasjet janë në paraburgim 30-ditor. Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dje nuk ka dashur të sqarojë asnjë nga pyetjet e hapura për vrasjen e dyfishtë.

“Me paraqitjen e kallëzimit penal, hetimi i plotë shkon në Prokurorinë Themelore Publike. Nuk do të mund të ndaj më shumë informata dhe kjo nuk është e mirë për hetimin sepse nuk mund ta bëjmë atë në media, duhet të bëhet në prokurori”, tha ministri Spasovski.

Nuk dihet motivi i dy vrasjeve dhe as nëse Ministria e Punëve të Brendshme ka armën me të cilën janë kryer. Për momentin dihet vetëm se policia ka sekuestruar dy armë, por priten rezultatet e ekspertimit. Në prokurori nuk është dorëzuar as raporti i autopsisë, i cili duhet të tregojë se kur dhe si kanë vdekur vajza dhe Zhezhovski.

“Të gjitha ato informata si dhe ekspertiza në momentin kur të kompletohen do të dorëzohen në prokurorinë publike”, tha Spasovski.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së.
 28 nëntor Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për të.

Më 2 dhjetor arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjet që kishte lidhje me zhdukjen e saj.

Më 3 dhjetor u bë publike se është gjetur trupi i saj i pajetë. Gjithashtu, u lajmërua se u gjet i pajetë dhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në të njejtën ditë u caktua paraburgim 48 orësh për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski ndërsa u bë e ditur se organizatori kryesor dhe kryerësi i vrasjes, Ljupço Palevski ishte arratisur. 

 4 dhjetor, në konferencë për shtyp Prokuroria dhe MPB dhanë detaje për rastin i cili ende hetohej, në të cilën u hodhën dyshime për përfshirjen e babait të saj Aleksandar Gjorçev. Motivi i vrasjeve thanë që është “interes financiar”. Në të njejtën ditë u shpall fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli për Ljupço Palevskin. Më vonë u paraburgos dhe babai i saj.

Më 5 dhjetor, Prokuroria Publike konfirmoi se autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes. Në të njejtën ditë paraburgos dhe Stefan Dimkovski nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi. Ky i fundit u arrestua në Turqi, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq u caktua paraburgim 30 ditor për  Vllatko Keshishov, Velibor Manevski, Bore Videvski dhe Aleksandar Gjorçev dhe 48 orë për transportuesin e Pallços.

Më 6 dhjetor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit. U publikuan të dhëna nga biografia e Palevskit, e pasur me krime të pandëshkuara, si dhe për ndihmësit e tij, të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”.

Më 7 dhjetor, u dërgua në Truqi kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe u caktuan 30 ditë paraburgim për shoferin e Palevskit, Stefan Dimkovski.

Më 10 dhjetor, Prokuroria apeloi që mos të spekulohet në media dhe rrjete sociale sepse raporti i autopsisë së Vanjës, nuk është ende gati.

11 dhjetor, Ministria e Drejtësisë njoftoi se autoritetet turke i kanë caktuar 40 paraburgim ekstradues Lupço Palevskit. Në po të njëjtën ditë, Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski  tha se mendon që t’i dërgojë mesazh presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për ekstradim të Lupço Palevskit, i dyshuari i parë për vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, që të ndodhë sa më shpejtë.