Të dyshuarve për vrasjen e Vanjës dhe Zhezhovskit iu vazhdua paraburgimi për 30 ditë

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale vendosi që pesë të dyshuarve për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevskës dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski t’ua vazhdojë paraburgimin edhe për 30 ditë tjera, derisa i dyshuari i parë Lupço Palevski-Pallço ndodhet në burg ekstradues në Turqi, shkruan Portalb.mk.

Ndër të dyshuarit të cilëve iu është vazhduar masa e paraburgimit është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili sipas hetimeve ka ndihmuar të tjerët për të rrëmbyer vajzën dhe dyshohet për veprën penale të rrëmbimit.

Tre të tjerët për të cilët është zgjatur masa janë Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Bore Videvski, të dyshuar për dy krime – vrasje dhe rrëmbim, ndërkaq, paraburgimi vazhdon edhe për Stefan Dimovskin, i cili është akuzuar se i ka ndihmuar Pallços të largohet nga Serbia në Turqi.

“Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike Shkup për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj 5 personave, mori vendime me të cilat propozimi për vazhdimin e masës së paraburgimit pranohet edhe për V. M., V. K., B. C. për të cilat ekziston dyshimi i bazuar për dy krime të vrasjes nga neni 123 paragrafi 2 pika 1 dhe pika 4 dhe neni 123 paragrafi 2 pika 1 dhe pika 7 të Kodit Penal (KPP), dhe dy krime të rrëmbimit nga neni 141. paragrafi 1 dhe neni 141 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të KP, si dhe A. F. i dyshuar për veprën penale rrëmbim nga neni 141 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të KP-së, të gjitha lidhur me vrasjen e vajzës së mitur nga Shkupi – V. F. dhe Veleshan P. Z., iu vazhdohet paraburgimi për 30 ditë”, thuhet në njoftimin e sotëm nga Gjykata Themelore Penale.

Kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit, palët, sipas Gjykatës, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Shkup.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Pallço, i cili pasi u largua nga Maqedonia e Veriut, kaloi nga Serbia në Turqi, ku edhe u arrestua sipas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e RMV përmes Interpolit. Ai momentalisht ndodhet në burg në Turqi dhe procedura për ekstradimin e tij është në vazhdim.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u  gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua 40 ditë paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.