Në Prokurori kanë arritur raportet e autopsisë së Vanjës dhe Zhezhovskit

Prokuroria Themelore Publike sot njoftoi se deri tek ata kanë arritur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për 14-vjeçarën Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarin Pançe Zhezhovski, të cilët u gjetën të vdekur më 3 dhjetor në rrethin e Shkupit dhe Velesit, njofton Portalb.mk.

Nga Prokuroria thanë se raportet nuk do të jenë publike. Gazetarët me një sërë pyetjesh kërkuan detaje për raportet, por megjithatë Prokuroria tha se sot nuk do të ketë kurrfarë njoftimi.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u  gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua 40 ditë paraburgim ekstradues. Procedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”