„Shtyp“ një zgjedhje ndryshe nga gjuha e urrejtjes, ndërhyrje artistike në Shkup në formën e një tastiere të madhe

Në sheshin te KIM-i, në bulevardin „Aradhet Partizane “ në Shkup, sot është vendosur një ndërhyrje artistike në formën e një skulpture të madhe në formë tastiere, e cila përcjell mesazhin „Stop gjuhës së urrejtjes“, transmeton Portalb.mk.

E frymëzuar nga një prej simboleve më të njohura të komunikimit digjital – tastiera – ky instalacion artistik transformon hapësirën virtuale në një objekt fizik dhe publik. Në këtë mënyrë, thirrja për ndalimin e gjuhës së urrejtjes bartet nga ekrani në hapësirën reale publike.

Me vendosjen e kësaj vepre në një hapësirë urbane të frekuentuar, hapet pyetja për përgjegjësinë në komunikim, veçanërisht në sferën digjitale, ku gjuha e urrejtjes shpesh mbetet e padukshme, e toleruar ose e normalizuar. Instalacioni ka për qëllim të nxisë reflektim, të inkurajojë ndërgjegjësimin kritik dhe të iniciojë dialog publik për pasojat e kësaj gjuhe.

Tastiera simbolikisht u bën thirrje kalimtarëve të „shtypin“ një zgjedhje ndryshe – komunikim të bazuar në respekt, empati dhe përgjegjësi. Përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë me veprën, qytetarët inkurajohen të njohin rolin e tyre kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes dhe mënyrën se si komunikojmë online.

Ky aksion është pjesë e një serie instalacionesh urbane që, përmes artit në hapësirën publike, synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e publikut dhe të hapin tema të rëndësishme shoqërore: Sa dimë vërtet ta dallojmë gjuhën e urrejtjes në komunikimin online? A marrim përgjegjësi si përdorues dhe a reagojmë, apo më së shpeshti mbetemi pasivë? Dhe kur përballemi me përmbajtje të tillë, a e denoncojmë apo e injorojmë?

Ky aksion është përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, të cilin e zbaton Shoqata për Avancimin e Praktikave të Gazetarisë “Media Inovative – Shkup”.

Aksione guerile të tjera nga kjo shoqatë: