Kallëzim penal dhe arrestim i dhunuesit që e rrahu vajzën në Ohër, babai i saj nën masa kujdesi

K.K. nga Ohri, i cili rrahu Sarën 26-vjeçare dhe e hodhi nga makina në rrugë, por u la në liri me masa kujdesi, është privuar sërish nga liria. Pritet që ndaj tij të kërkohet një masë më e rreptë,  paraburgimi, transmeton Portalb.mk.

“Ai është privuar nga liria dhe presim që t’i caktohet masa e paraburgimit. Privimi nga liria është bërë me urdhër të prokurorit publik dhe lidhet me nenin 131, paragrafi 2, të Kodit Penal”, deklaroi për Kolegium Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB Ohër.

Neni 131, paragrafi 2, i Kodit Penal ka të bëjë me lëndimin e rëndë trupor gjatë dhunës në familje.

Më heret gjatë ditës kryeprokurori i shtetit, nuk dha përgjigje konkrete se përse janë kërkuar vetëm masa kujdesi ndaj të dyshuarit. Ai tha vetëm se po punohet intensivisht për rastin dhe se janë të vetëdijshëm se duhet të veprojnë shpejt dhe me efikasitet.

“Ju siguroj se Prokuroria Publike po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. Pres që gjatë ditës të njoftohem nga prokurori publik kompetent, madje edhe të merret një vendim përfundimtar i prokurorisë”, tha prokurori Nenad Saveski.

Saveski shtoi se cilësimi i veprës për të cilën do të ndiqet penalisht i dyshuari do të përcaktohet pasi të mblidhen të gjitha provat gjatë hetimit. Për “lëndim të rëndë trupor”, sipas nenit 131, paragrafi 3 të Kodit Penal, parashikohet dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet.

Nëna e viktimës, Irena Gjorgjievska, ngriti akuza të rënda në Facebook, duke pretenduar se i dyshuari është lënë në liri sepse nëna e tij është Lubinka Koraboska, ish-kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, e propozuar në këtë funksion nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas saj, babai i tij është Goce Koraboski, inspektor në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, i cili kishte marrëdhënie të afërta me kryeministrin Mickoski.

“Djali i mamit mburrej vazhdimisht se, pavarësisht se çfarë do të ndodhte, prindërit e tij ishin mjaftueshëm të fuqishëm për të ‘rregulluar’ gjithçka. Ajo që e bën situatën edhe më të tmerrshme janë rrethanat që lidhen me veprimet e babait të tij. Në momentin kur vajza ime ishte pa ndjenja, Kristijani, duke menduar se ajo kishte vdekur, kontaktoi babanë e tij, duke kërkuar ndihmë se si ta hiqte qafe trupin e saj. Babai i tij i jepte udhëzime se si ta hiqte qafe trupin e vajzës sime”, pretendon Irena Gjorgjievska, nëna e viktimës.

Nga spitali “Shën Erazmo” në Ohër thonë se, pas ekzaminimeve diagnostikuese, te vajza janë konstatuar lëndime trupore, hematoma dhe kontuzione.

“Më 15.11.2026, rreth orës 02:00, pas një zënke që kishte nisur në shtëpinë e tij dhe kishte vazhduar në makinën e tij, i denoncuari e kishte sulmuar fizikisht në automjet të dashurën e tij 26-vjeçare nga rrethina e Ohrit. Pasi kishte ndaluar automjetin, kishte vazhduar sulmin, gjatë të cilit vajza kishte humbur ndjenjat dhe ishte rrëzuar. Më pas ajo ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër dhe më vonë në spitalin ‘Shën Erazmo’ në Ohër, ku i ishin konstatuar lëndime të rënda trupore”, njoftoi MPB-ja.

Për SDK, zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski ka thënë se te burri që e rrahu vajzën në Ohër është regjistruar alkool në gjak.

“Është kryer alkotestimi i autorit të mundshëm, përkatësisht i personit ndaj të cilit është ngritur kallëzimi penal. Tek ai janë konstatuar 1,29 promilë alkool në gjak, prandaj edhe mbi këtë bazë ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës”, deklaroi Dimoski.

Në stacionin policor u mbajt edhe babai i viktimës, pasi nëna e të dyshuarit, Lubinka Koraboska, e kishte denoncuar se përmes telefonit celular kishte kërcënuar djalin e saj dhe të gjithë familjen. Ndaj babait, i cili u ndalua pasi vajza e tij përfundoi në spital, do të parashtrohet kallëzim.

Ndërkohë, babai i vajzës së rrahur është liruar nga stacioni policor ku po mbahej dhe ndaj tij janë caktuar masa kujdesi, informoi SPB Ohër.

Këtë rast të dhunës e kanë dënuar shoqatat qytetare të cilat merren me të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje kanë dalë me raagim të përbashkët.

“Pas femicidit të 17-vjeçares Biljana Kiriq në Bogdanc, brenda një jave përballemi me dy tentativa për femicid, në Ohër dhe Manastir. Në njërin rast, i dyshuari është në liri me masa kujdesi. Në tjetrin, u arratis përmes dritares së një stacioni policor. Kjo ndodh në një vit në të cilin tashmë janë shënuar shtatë femicide, ndërsa në Evropë, Maqedonia e Veriut renditet e treta për nga shkalla e vrasjeve të grave nga partnerët intimë. Çdo kërcënim i radhës që nënvlerësohet, çdo vlerësim i papërshtatshëm i rrezikut dhe çdo masë mbrojtëse që nuk ndërmerret ndodhin duke i ditur këto fakte”, thuhet në reagim.

Ata shtojnë se deklaratat partiake se “askush nuk është mbi ligjin” duhet të pasohen nga veprime që publiku mund t’i verifikojë.

“Kalimi i fajit ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe partive politike e mban në këmbë sistemin ku të gjithë shprehin shqetësim me fjalë, ndërsa përgjegjësia vazhdimisht mbetet te dikush tjetër”, thuhet në reagim.

Forumi i Grave i LSDM-së nesër, më 17.11.2026 (e martë), duke filluar nga ora 18:00, organizon protestë para SPB Ohër, në mbështetje të Sarës së re dhe të afërmve të saj, si dhe të të gjitha grave viktima të dhunës. Protesta drejtohet edhe kundër institucioneve jofunksionale të udhëhequra nga VMRO-ja, të cilat, sipas Forumit, i mbrojnë dhunuesit. Forumi i Grave i LSDM-së u bën thirrje edhe qytetarëve të Ohrit t’i bashkohen protestës dhe së bashku të dërgojnë një mesazh të qartë e të fuqishëm se dhuna, fshehja e saj dhe mbrojtja e dhunuesve duhet të marrin fund dhe se duhet të ketë përgjegjësi.

“U bëjmë thirrje edhe qytetarëve të Ohrit t’i bashkohen protestës dhe së bashku të dërgojmë një mesazh të qartë e të fuqishëm se dhuna, fshehja e saj dhe mbrojtja e dhunuesve duhet të marrin fund dhe të pasohen nga përgjegjësia. Sara meriton drejtësi, siguri dhe mbrojtje, ashtu si çdo grua. Nuk duhet të lejohet mbulimi i dhunës; duhet të ketë përgjegjësi, pavarësisht lidhjeve partiake, familjare dhe politike. Mjaft me heshtjen”, porosisin nga Forumi i Grave i LSDM-së.

Kryetarja e PLD-së dhe deputetja në Kuvend, Monika Zajkova, përmes një postimi në rrjetet sociale kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike të kontrollohen telefonat celularë për të përcaktuar komunikimet e dhunuesit me të afërmit.

“Prokuroria Themelore Publike të iniciojë sekuestrimin dhe ekspertizën e telefonave celularë, si dhe zbatimin e masave të posaçme hetimore për të përcaktuar komunikimet ndërmjet dhunuesit dhe familjes së tij, që të vërtetojë dhe të dëshmojë lehtësisht nëse ka pasur telefonata. Mund të angazhohen edhe nga Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, nëse duan… dhe nëse ka, të ngrenë menjëherë ndaj tyre kallëzim penal për ndihmë ndaj autorit pas kryerjes së veprës penale. Dhe po, kërkoj rishqyrtim urgjent të cilësimit juridik dhe ricilësim në TENTATIVË PËR VRASJE”, shkruan kryetarja e PLD-së në postimin e saj.

Partia Levica thotë se për kërcënimin ndaj Mickoskit u veprua menjëherë, pas informacioneve publike, dhe u caktua paraburgim, ndërsa as tentativa për vrasjen e një vajze të re nuk mjafton për paraburgimin e një dhunuesi nga një familje “e respektuar” e VMRO-së

“Për Mickoskin mjafton një fjali në Instagram që të aktivizohet i gjithë aparati represiv, ta gjejnë vetë komentin, të veprojnë mbi bazën e informacionit të marrë, të ngrenë vetë kallëzim penal dhe të caktojnë paraburgim. Për një vajzë të rrahur në mënyrë monstruoze, as shtrati i spitalit, as fotografitë dhe dëshmitë e bëra publike nuk mjaftojnë që dhunuesi të përfundojë në paraburgim”, thonë nga Levica.

VMRO-DPMNE-ja dënoi dhunën ndaj vajzës dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente ta zbardhin plotësisht rastin, ndërsa kritikoi Prokurorinë.

“Pasi MPB-ja ka vepruar dhe e ka ndaluar të dyshuarin për dhunën, prokurori publik kompetent e ka lënë në liri me masa të lehta kujdesi dhe po bën taktizime. Kjo është sjellje skandaloze e Prokurorisë, për të cilën duhet të ketë përgjegjësi. Nëse ekzistojnë indicie se kushdo qoftë, madje edhe nga Prokuroria, po përpiqet ta mbulojë rastin ose të ndikojë në mënyrë të paligjshme mbi procedurën, duhet të nxirret menjëherë para drejtësisë”, deklaruan nga VMRO–DPMNE-ja.

Kujtojmë se para pak ditëve në Shkup u protestua kundër dhunës dhe vrasjes së grave.