Qytetarët të peshojnë fjalët, liria e shprehjes të mos keqpërdoret për të shpërndarë gjuhë të urrejtjes (VIDEO)
Qytetarët e Shkupit sot u befasuan nga një peshore e madhe në bulevardin “Arradhat Partizane”, e cila është duke matur dy opsionet se cila ka më shumë peshë, gjuha e urrejtjes apo liria e shprehjes. Ky instalacion i artit urban ka për qëllim vetëdijësimin e opinionit që të “maten para se të flasin” për të mos shpërndarë urrejtje në emër të lirisë së fjalës, transmeton Portalb.mk.
“Aksioni buron nga nevoja për të vënë në pah praktikën e rrezikshme ku liria e shprehjes kuptohet si e pakufizuar dhe shpesh keqpërdoret për përhapjen e mesazheve fyese, diskriminuese dhe plot urrejtje, ndonjëherë edhe pa qëllim. Me rritjen e pranisë së rrjeteve sociale, gjuha e urrejtjes te një pjesë e qytetarëve gjithnjë e më shpesh barazohet me lirinë e shprehjes, gjë që krijon pasoja serioze shoqërore”, thuhet në njoftim.

Instalacioni përbëhet nga një peshore e madhe, e frymëzuar nga peshorja e Justicës, e vendosur në gjendje ekuilibri. Në njërën anë qëndron mbishkrimi “Liria e shprehjes”, ndërsa në tjetrën “Gjuha e urrejtjes”, të shkruara në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Balanca ndërmjet dy anëve simbolizon vijën e hollë dhe nevojën për peshim të vazhdueshëm midis të drejtës për shprehje të lirë dhe përgjegjësisë për fjalët që përdorim.

Sipas organizatorëve, qëllimi i aksionit është të nxisë qytetarët të reflektojnë para se të flasin ose të shkruajnë dhe të mos e përdorin lirinë e shprehjes si justifikim për përhapjen e urrejtjes.
Instalacioni ka përmasa 2 × 2 metra dhe është i punuar nga druri dhe elemente metalike.
Ky aksion është përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, të cilin e zbaton Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Media Inovative Shkup”.
Aksione guerile të tjera nga kjo shoqatë:
- LEXO: Aksion “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes” në Shkup: Përgjigjja më e fortë ndaj urrejtjes është të ndalemi, të heshtim dhe të mendojmë
- LEXO: Qytetarët u panë në pasqyrë dhe u ballafaquan me gjuhën e urrejtjes, intervenim artistik publik në Shkup
- LEXO: “Fike gjuhën e urrejtjes” në Shkup: Një instalacion gueril me mesazh të fuqishëm (VIDEO)
- LEXO: Po merr përmasa alarmante në RMV, “Stop gjuhës së urrejtjes” është aksioni më i ri artistik në Shkup (FOTO)
- LEXO: Pengesa simbolike në Shkup: Arti që sfidon gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike
- LEXO: “Shigjetat Helmuese” në Shkup bëjnë të dukshme plagët e padukshme të gjuhës së urrejtjes