Aksion “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes” në Shkup: Përgjigjja më e fortë ndaj urrejtjes është të ndalemi, të heshtim dhe të mendojmë
Qendra për Arte Bashkëkohore Shkup zhvilloi aksionin gueril “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes”, i cili synon të flasë me zë të lartë kundër gjuhës së urrejtjes dhe pranisë së saj në narrativet e përditshme publike dhe online. Aksioni është vendosur në rrugën Maqedonia pranë shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës, transmeton Portalb.mk.
“Aksioni bazohet në ndërveprimin e drejtpërdrejtë me kalimtarët dhe përdor një simbol të thjeshtë, por të rrënjosur thellë në kulturën tonë, çajin. Në jetën e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, çajrat dhe bimët përdoren tradicionalisht si ilaç për trupin, por edhe si një moment për qetësim, bisedë ose heshtje. Kjo është arsyeja pse, “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes” e përdor çajin si mjet për të menduar racional, duke ngadalësuar reagimet impulsive dhe duke ndaluar ofendimet dhe stereotipat automatike”, thuhet në njoftim.
Në atmosferë para Vitit të Ri, me skenografi simbolike, qytetarëve do t’u jepet çaj dhe një rrëfim i shkurtër rreth asaj se çfarë është gjuha e urrejtjes, pse është e dëmshme dhe si secili prej nesh mund të reagojë dhe të kontribuojë në parandalimin e saj. Disa nga kalimtarët dhe ata të interesuar do të marrin edhe një pako të vogël “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes” për ta marrë në shtëpi, me mesazhe dhe udhëzime për përgatitje që, përmes heshtjes dhe përmbajtjes, simbolikisht bën thirrje për komunikim të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm.
Për të arritur efektet më të mira, qytetarëve u kërkohet t’i përmbahen në mënyrë strikte udhëzimeve për përdorimin e “Çajit kundër gjuhës së urrejtjes”, sepse me përdorimin e duhur, efektet afatshkurtra të “veprimit” të tij mund të arrijnë deri në 100%.
Çaji rekomandohet të përdoret gjatë shikimit të lajmeve, gjatë aktivitetit të shtuar në rrjetet sociale, si dhe gjatë festave dhe kremtimeve. Filxhani mbahet me të dyja duart, pihet një gllënjkë dhe mbahet në gojë për të paktën pesë minuta, pa folur. Pasi të ketë kaluar koha, çaji gëlltitet dhe procedura përsëritet.
Në këtë mënyrë, arrihet efekt i menjëhershëm, pamundësi e përkohshme, por efektive e çdo forme të gjuhës së urrejtjes.
Aksioni “Çaj kundër gjuhës së urrejtjes” përmes humorit, performancës dhe zakoneve të përditshme çel hapësirë për mesazh të qetë, por të qartë: ndonjëherë, përgjigja më e fortë ndaj urrejtjes është të ndalemi, të heshtim dhe të mendojmë.
Ky aksion është përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore Shkup në kuadër të projektit Rrjetit për diversitet 2.0 – Agjenda e re e zbatuar nga Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Innovative Media – Shkup”
Aksione guerile të tjera nga kjo shoqatë:
- LEXO: Qytetarët u panë në pasqyrë dhe u ballafaquan me gjuhën e urrejtjes, intervenim artistik publik në Shkup
- LEXO: “Fike gjuhën e urrejtjes” në Shkup: Një instalacion gueril me mesazh të fuqishëm (VIDEO)
- LEXO: Po merr përmasa alarmante në RMV, “Stop gjuhës së urrejtjes” është aksioni më i ri artistik në Shkup (FOTO)
- LEXO: Pengesa simbolike në Shkup: Arti që sfidon gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike
- LEXO: “Shigjetat Helmuese” në Shkup bëjnë të dukshme plagët e padukshme të gjuhës së urrejtjes