Pengesa simbolike në Shkup: Arti që sfidon gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike
Deri ku na çon gjuha e urrejtjet dhe a na kthen prapa? Përgjigjet e kësaj pyetje janë mesazhet e vendosura në qendër të Shkupit, të cilat i lexojnë kalimtarët. Në pengesat e improvizuara atletike janë shkruar mesazhe të tipit: “Gjuha e urrejtjes e pengon komunikimin normal”, “Gjuha e urrejtjes e bllokon të vërtetën”, “Senzacionalizmi mund të çojë në përfundime të gabuara”, “A ju pengojnë etiketimet?”, “Gjuha e urrejtjes çon në një rrugë pa dalje”, shkruan Portalb.mk.
Organizatorët thonë se në ritmin urban të përditshmërisë shpesh nuk jemi të vetëdijshëm se si gjuha e urrejtjes e çrregullon hapësirën tonë – jo vetëm fizike, por edhe komunikative, sociale dhe emocionale.
Pikërisht kësaj pyetjeje në mënyrë artistike dhe simbolike i përgjigjet intervenimi i ri në hapësirën publike, i cili nëpërmjet një forme vizuale dhe konceptuale do ta parashtrojë pyetjen: Deri ku na çon gjuha e urrejtjes – dhe a na kthen prapa?
“Ky aksion bazohet në vendosjen fjalë për fjalë të pengesave me mesazhe, gjegjësisht të objekteve të vendosura të ngjashme me pengesat në atletikë – pengesa fizike që e ngushtojnë hapësirën për lëvizje dhe e çrregullojnë rrjedhshmërinë normale të lëvizjes urbane, duam t’i shtyjmë qytetarët që të bëjnë një paralele mes pengesave reale dhe pengesave të cilat në jetë dhe në komunitet i ngre gjuha e urrejtjes. Në këtë mënyrë, përmes një interpretimi të thjeshtë të temës për pengesat, duam t’i detyrojmë qytetarët ta pyesin veten për pengesat dhe problemet që i shkakton gjuha e urrejtjes”, thonë organizatorët.

Aktivisti i artit Nikolla Pisarev thotë se ideja e këtij aksioni është të paraqesë pengesat që shkakton gjuha e urrejtjes në jetën e qytetarëve.
“Pikërisht për këtë arsye vendosëm të krijonim pengesa në një mënyrë eksplicite, si në një pistë atletike, dhe të vendosnim mesazhe qartë të lexueshme në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Sepse shumë shpesh njerëzit abuzojnë me lirinë e fjalës dhe përhapin gjuhë urrejtjeje. Vendosëm t’i përballim njerëzit me problemin që është gjithnjë e më i pranishëm te ne – përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të ndryshme. Pavarësisht nëse janë etnikë, nëse janë politikë, nëse janë gra, apo nëse janë njerëz që kanë zakone ose hobi të ndryshme”, tha Pisarev.
Ai theksoi se duam t’u kujtojnë njerëzve se në rritjen e fëmijëve dhe në sistemin arsimor, duhet t’i kushtohet vëmendje asaj që lejohet të thuhet, se ku është ajo vijë ndarëse.
Qytetarët që i takuam gjatë kohës që vizituam aksionin ndanë eksperiencën e tyre me gjuhën e urrejtjes.
“Më ka ndodhur disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht etnike, shpesh fetare ose klasore, dhe ende më e frikshme, ekonomike. Për njerëzit, veçanërisht gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, siç thonë edhe sloganet tuaja, kjo lë vërtet plagë të përhershme, ndoshta jo për mua, por për njerëzit që përballen me probleme të tilla, me siguri”, tha një qytetar që e takuam afër aksionit.

Organizatorët theksojnë se ky aksion qëllimin e tij komunikativ e bazon në konceptin më të gjerë të aktivizmit kreativ, ku arti nuk është vetëm një shprehje, por edhe një mjet për transformim shoqëror.
“Në vend të thirrjeve abstrakte, intervenimi artistik në këtë aksion krijon një përvojë fizike që në mënyrë simbolike i pasqyron pengesat që i vendos gjuha e urrejtjes në jetën tonë të përditshme. Një hapësirë të zakonshme publike ai e kthen në një fushë komunikimi të përballjes, ku kalimtarët bëhen pjesëmarrës, e jo vetëm vëzhgues. Përmes gjesteve të këtilla urbane duam të tregojmë se problemet shoqërore mund të trajtohen dhe artikulohen përmes fuqisë së gjuhës vizuale, dialogut dhe interpretimit artistik”, thonë organizatorët.
Sipas organizatorëve, lufta kundër urrejtjes jo doemos duhet të fillojë në institucione, ajo mund të fillojë pikërisht aty ku njerëzit lëvizin çdo ditë dhe rrjedhimisht të shkaktojë reagim nga institucionet, të cilat do të kontribuojnë në reduktimin e gjuhës së urrejtjes në sferën publike.
Aksioni është i vendosur në një hapësirë publike në qendër të Shkupit, në segmentin nga Banka Komerciale në QT Bunjakovec deri te sheshi i vogël te Kim në Porta Bunjakovec, pra deri te farmacia Zegin.

Ky aksion u përgatit nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, të cilin e zbaton Shoqata për Avancimin e Praktikave të Gazetarisë “Media Inovative – Shkup”.